KryesoreLajme

Kurti: Vuçiqi si Millosheviqi e Radoiçiqi si Arkani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka krahasuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe organizatorin e sulmit në Banjskë të dielën, Milan Radoiçiq, me kriminelët e luftës Sllobodan Millosheviq përkatësisht Zheljko Arkanin, duke i akuzuar se po duan ta kthejnë rajonin si në vitet ’90-ta.

Në një intervistë për Al Jazeeran të premten, Kurti ka thënë se Radoiçiqi është vetëm ekzekutuesi i sulmit të së dielës në Banjskë të Zveçanit – ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku – ndërsa sipas kryeministrit të Kosovës, urdhëruesi dhe planifikuesi është presidenti serb Vuçiq.

Kurti ka deklaruar se “në Beograd sot e keni Putinin e vogël president”, dhe se sulmuesit e armatosur në Banjskë kishin pajisje që prodhoheshin në Serbi dhe që nuk mund të blihen në tregun e lirë.

“Nga Beogradi është marrë logjistika ushtarake, pajisjet dhe përgatitjet, si dhe ka marrë urdhra politike nga presidenti Vuçiq. Janë të panumërta fotot ku Milan Radoiçiq është i afërt me Vuçiqin në takime të ndryshme në Beograd dhe nuk kam absolutisht asnjë dyshim që Radoiçiq është vetëm ekzekutor. Ai që planifikoi dhe urdhëroi këtë sulm terrorist, kriminal ndaj vendit tonë, për të cenuar integritetin tonë territorial, sigurinë kombëtare dhe sigurinë shtetërore, nuk është askush tjetër veçse presidenti Vuçiq”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

“Po përpiqen të na kthejnë në vitet ’90 me makinën e kohës, kur kishim Millosheviqin dhe Arkanin. Tashmë Slobodan Millosheviq është Aleksandar Vuçiqi, ndërsa Zheljko Raznjatoviq Arkan është Milan Radoiçiqi, i cili përndryshe është shumë i njohur për krime të ndryshme në Kosovë, sidomos në pjesën veriore, por edhe për kontrabandë atje”, ka shtuar kryeministri i Kosovës.

Kurti ka përmendur nëntë laboratorët për prodhimin e drogës që ka shkatërruar në veri gjatë dy vjetëve qeverisje, duke thënë se në veri ka pasur grupe profesionale ushtarake që janë përfshirë në krimin e organizuar.

“Kjo nuk është asnjë lloj rezistence qytetare, nuk janë banda që punojnë atje për të kontrabanduar mallra, por grupe profesionale paraushtarake, të cilat janë të përfshira në krimin e organizuar, por tani po kontrabandojnë më së shumti armë dhe municione kundër rendit kushtetues dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës. Ata humbën betejën me policinë tonë të dielën dhe tani duan të justifikohen dhe të politizojnë sulmin e tyre kriminal”, ka shtuar ai.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Kreu i Qeverisë së Kosovës është shprehur se këto lloj grupe nuk përfaqësojnë as serbët e Kosovës e as popullin serb.

“Ata filluan të bëhen kriminelë si politikanë, dhe tani duan të politizojnë krimin e tyre. Aty nuk ka rezistencë civile. Ata nuk përfaqësojnë as serbët e Kosovës, dhe më duhet t’i them Zotit, ata nuk përfaqësojnë as popullin serb. Ata përfaqësojnë kapitalin që ia morën popullit duke u përfshirë në krimin e organizuar për shumë vite dhe duan të destabilizojnë Kosovën, pastaj Malin e Zi, pastaj Bosnje-Hercegovinën me rotacion, sepse duan që ne të gjithë të kthehemi në vitet ’90 me një makinë kohe”, ka thënë Kurti.

Rruga Press

YouTube player