KryesoreLajme

Kurti viziton punimet në Gjinekologji: S’do të ketë më dhoma me nga 6 shtretër

Kryeministri Albin Kurti teksa ka vizituar punimet që po bëhen në rinovimin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se më në këtë klinikë s’do të ketë dhoma me nga 6 deri 9 shtretër e se asaj do t’i shtohen tri shërbime të reja.

Teksa ka uruar stafin për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kurti i ka quajtur mantelbardhët heronj të heshtur të gjallë. Ai i ka falënderuar për angazhimin, kontributin, punën dhe përkushtimin.

“Unë në veçanti u gëzova kur mora vesh që nuk do të ketë më dhoma me nga 6 deri në 9 shtretër, por maksimalisht 2 shtretër, kjo është tejet e rëndësishme edhe për suksesin e shërbimit që jep personeli, e gjithashtu edhe për kushtet në të cilat trajtohet pacientja ose pacienti”, ka thënë Kurti. “Janë lajm i mirë edhe këto 3 shërbime të reja pra, Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, si dhe Mjekësia Fetale dhe Amniocenteza të cilat pa dyshim që do ta rrisin edhe reitingun e QKUK-së, në përgjithësi e në veçanti Klinikës Gjinekologjike. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht siç e dimë edhe ne nga politika do të rriten pritjet e pacientëve, pra pacientët kur iu tregoni se jepni më shumë shërbime dhe e keni ngritur cilësinë e shërbimeve, automatikisht ngriten edhe pritjet e tyre, kështu që duhet që bashkërisht atyre pritjeve t’iu dalim zot sa më mbarë e mirë, dhe me lehtësi e me shpejtësi”.

Lexo më shumë  Kurti në ‘STEMinists’24’: Zhvillimi i shtetit - përparimi i qytetarëve

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë klinikë po renovohen katër reparte. Është premtuar lehtësimi i punës së stafit e minimizim i pritjeve të gjata të pacientëve për të marrë shërbime.

YouTube player