Kurti: Asociacioni nuk është prioritet për normalizim raportesh me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është top prioriteti për normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë – por Marrëveshja bazë mes dy vendeve.
Në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij irlandez, Leo Varadakar, kryeministri i Kosovës foli gjatë sa i takon kësaj çështjeje ndërsa bëri thirrje për të mos e nxjerrë nga konteksti paketën e draft statutit ose Asociacionin si një çështje.
Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit mos veçohet, siç tha ai, nga paketa e marrëveshjes bazike.
“Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti, derisa shtoi se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”. Për këtë, ai kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian.
“Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.
Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.
Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.
Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Varadkar shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
Irlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008.
Varadkar tha se qëndrimi i qeverisë irlandeze është që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të hiqen.
Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Rruga Press