KryesoreLajme

Kurti takon Sarrazinin, kërkon zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë mes Kosovës dhe Bosnjës

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten është takuar me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Po ashtu në njoftim thuhet se Kurti në këtë takim, ka folur dhe për rëndësinë e marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit, duke kërkuar të zbatohen plotësisht, përfshirë edhe marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftim mes Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

“Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim kryeministri Kurti dhe i dërguari gjerman kanë folur edhe për përgatitjet për samitin e 10-të të Procesit të Berlinit.

Ndryshe, në shkurt të 2023-s, Kuvendi i Kosovës pati ratifikuar marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e marrëveshjeve në kuadër të Samitit të Berlinit.

Rruga Press

YouTube player