KryesoreLajme

Kurti takon përfaqësues të bizneseve gjermane, i fton për investime në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih është takuar me përfaqësues të bizneseve gjermane, të organizuar në bashkëpunim me Këshillin e Jashtëm mbi Marrëdhëniet Ekonomike (Foreign Councils on Economic Relations).

I shoqëruar nga shefi i Stafit, Luan Dalipi dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti gjatë bashkëbisedimit, Kurti nënvizoi indikatorët ekonomikë të vendit dhe progresin e Kosovës si një shtet zhvillimor, progresist e demokratik.

Ai renditi “përparësitë demografike dhe gjeografike, politikat e favorshme fiskale, të rinjtë profesionistë, reformën dhe përmirësimi në sundimin e ligjit dhe stabilitetin institucional, si arsye se pse e bëjnë Kosovën ambient të favorshëm për investime të huaja”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Tutje shefi i ekzekutivit i njoftoi për planet dhe potencialin e investimeve në Kosovë në shumë fusha.

“Ndër to, u theksua sektori i energjisë, përkatësisht energjisë së ripërtëritshme, ku së fundmi u përmbyll me sukses procesi i ofertimit për ankandin e parë solar 100 MW dhe së shpejti pritet të hapet thirrja për ankandin tjetër, të erës, me kapacitet 150 MW”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Gjithashtu, Kurti foli edhe për fillimin e zbatimit të arsimit dual në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna me qëllim të ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës, si dhe për Fondin Sovran, i cili siç thotë ai do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare.

Kurti i ftoi kompanitë gjermane që ta vizitojnë Kosovën dhe të “konsiderojnë mundësitë që ofron ajo për investime”.

YouTube player