KryesoreLajme

Kurti takon Bettel: Mbështetja e Luksemburgut është mbi mesataren e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në Prishtinë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel.

Takimi mes tyre erdhi pas një takimi të mëparshëm në New York gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kurti falënderoi Luksemburgun për mbështetjen e palëkundur në zhvillimin dhe demokratizimin e Kosovës, si dhe për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it.

“Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj,” theksoi kryeministri Kurti, duke nënvizuar se ndihma nga Luksemburgu “është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj.”

Lexo më shumë  Presidenti jugkorean tentoi një grusht shteti, pasoi kaosi në parlament – çfarë ndodhi gjatë gjashtë orëve kaotike në Korenë e Jugut

Gjatë bisedimeve, liderët diskutuan fushat e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve në sektorët e teknologjisë dhe energjisë.

Një Memorandum i Mirëkuptimit i nënshkruar së fundmi përfshin fonde mbështetëse për sektorin privat me një vlerë të përgjithshme prej mbi 35 milionë euro, duke thelluar më tej lidhjet mes dy vendeve.

“Ky Memorandum përbëhet nga dy fonde për mbështetje për sektorin privat në vlerë të përgjithshme mbi 35 milionë euro. Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime.

Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri veçoi fushën e teknologjisë dhe të energjisë si sektorë me potencial të madh të vendit tonë dhe pozitën e përshtatshme gjeografike, sistemin tatimor, fuqinë punëtore profesionale dhe shumëgjuhëshe, progresin demokratik dhe stabilitetin institucional si përparësitë që ofron Kosova”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Kosova forcon lidhjet me Arabinë Saudite, nënshkruajnë marrëveshje doganore

Kurti vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Luksemburgut për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, dhe përgëzoi Bettel për përurimin e ambasadës së re të Luksemburgut në Prishtinë.

“Është dëshmi e raporteve tona të forta dhe infrastrukturë për t’i thelluar edhe më shumë ato,” u shpreh Kurti.

Ky ishte takimi i tretë ndërmjet Kurtit dhe Bettel gjatë dy viteve të fundit, duke shënuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të përforcuar mes Kosovës dhe Luksemburgut.

YouTube player