Lajme

Kurti: Takimin në Bruksel e konsideruam si mundësi të mirë për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti njoftoi të premten kabinetin qeveritar në mbledhjen e rregullt, për takimin e të enjtes në Bruksel me krerët e Bashkimit Evropian, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak.

Ai tha se ftesa për këtë takim erdhi pas vizitës në Prishtinë të 5 emisarëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 21 tetor.

“Iu përgjigjem pozitivisht sepse e konsideruam atë si mundësi të mirë për të kërkuar nga krerët e Bashkimit Evropian më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë, i cili është 381 kilometra i gjatë, më i gjatë se sa kufiri me tri shtete tjera marrë së bashku, pra Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, por edhe për të diskutuar më tej mbi propozimin e tyre për një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, pjesës integrale të kësaj marrëveshje që është Aneksi i Zbatimit dhe bashkërisht edhe me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7 Marrëveshjes Bazike”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Kurti fton diasporën në Francë të investojë në Kosovë: Qeveria garanton kreditë deri në 80 për qind

Kurti nuk foli më shumë për takimet e djeshme, duke thënë se përgjigjet i ka në një komunikatë lëshuar pas mbledhjes.

Kurti nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë se është shprehur i gatshëm për ta nënshkruar në Bruksel Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes, por këtë e ka kundërshtuar pala serbe.

Kryeministri Kurti rikujtoi se “ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar se Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

Lexo më shumë  Tensionet para Ministrisë së Arsimit, policia hedh ujë me presion në drejtim të protestuesve

Përkundër kësaj oferte gjeneroze të kryeministrit Kurti, presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023, njofton Kryeministra e Kosovës.

“Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa”, ka thënë ai.

Rruga Press

YouTube player