KryesoreLajme

Kurti takim me Drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, Emir Suljagiq: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim Emir Suljagić, Drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës i cili është dhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.

Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë, në 25- vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, Kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

Lexo më shumë  Rreziku nga rrjetet sociale, psikologia jep shifrat e frikshme: 200 denoncime vetëm në dy muajt e parë të vitit

Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”, thuhet në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit.

Tutje, në komunikatë thuhet se kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.

Lexo më shumë  Ushtarët italianë në KFOR, të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj situatave të papritura

“U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës. Duke e falënderuar Kryeministrin për takimin, Suljagić shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës”.

YouTube player