Lajme

Kurti: Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Këshill të Evropës, ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës që nga orët e mbrëmjes të së martës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.

Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Tani vendimi mbetet në duart e ministrave të shteteve anëtare. 

“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në Twitter.

E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë të ditur se e ka njoftuar edhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lexo më shumë  Zgjedhjet e 9 shkurtit, Konjufca fton mërgimtarët që të regjistrohen dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar në ambasada ose konsullata

“Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia, arritën pikën më të lartë me avancimin ditën e djeshme drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mirë, fatkeqësisht nxiti gjuhë të urrejtes nga politikanë serb por edhe akte të drejtpërdrejta kundrejt qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, përfshirë gra dhe fëmijë, tashmë për më shumë se 13 orë, po mbahen peng nga pala serbe, në kufi me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, i janë marrë dokumentet personale dhe janë lënë pa ushqim dhe mjekim. Mbi këtë situatë, kam informuar dhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja e Serbisë dhe hipokrizia e tyre ndaj të drejtave të njeriut, të cilat vijnë nga një vend që është aktualisht anëtar i Këshillit të Evropës. Ky akt dëshmon përsëri uljen e tyre në demokraci dhe politikat e tyre të vazhdueshme të agresionit”, ka shkruar ai në Twitter.

Lexo më shumë  Rikonstruksioni i komisariateve/ SPAK çon në gjykatë një tjetër deputet të Ramës, Plarent Ndrecën

Bislimi ka thënë se përderisa Serbia flet për të drejtat e njeriut, ajo ndërmerr spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës e keqtrajton opozitarët.

“Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po ndërmarrin spastrim etnik ndaj shqiptarëve përmes mjeteve administrative në Luginën e Preshevës, ata bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të etnisë së tyre dhe keqtrajtojnë e përndjekin politikanin opozitar Nikola Sanduloviq për shkak të shprehjes së qëndrimeve e mendimeve të tij. Kosova është një shtet i pavarur, sovran e demokratik. Ne nuk do të dorëzohemi përballë akteve bullizuese të Serbisë e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe normalizimit. Siç edhe Vulin ja ka qëlluar: Serbia nuk përket në Këshillin e Evropës dhe BE”, ka shtuar ai.

Rruga Press

YouTube player