Lajme

Kurti: Serbia do që ta shpallë një “president Zajednice” dhe ta shkelë ministrin tonë

Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se Serbia është në panik dhe sa më parë do t’i bëjë bashkë 10 kryetarë të komunave që udhëhiqen nga Lista Serbe, ta shpallë një president të “Zajednicës” e ta shkelë ministrin e Qeverisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.

Në një fjalim të mbajtur pasi ka bërë homazhe përkujtimore për Mon Balajn e Arben Xheladinin, me rastin e 16-vjetorit të vrasjes së tyre, Kurti ka thënë se kurrë s’ka qenë më e diskutueshme nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike, kundër të cilave është protestuar në shkurtin e vitit 2007.

“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik, te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste, prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti, që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘zajednice’ e me atë ta shkelin ministrin tonë, të Qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb, e padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Kurti: Ekziston një frikë e ankth në Evropë nga kthimi i mundshëm i Trumpit

Sipas tij si “Zajednicë” komunash ka nisur edhe Republika Sërpska në Bonje e Hercegovinë.

“Kurrë nuk ka qenë me e diskutueshme gjithandej, nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike, prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon Asociacion të tyre. Si ‘zajdenicë’ komunash pat nisur edhe Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e do Serbia”, është shprehur Kurti, duke shtuar se gjashtë javë pas asaj demonstrate, Martti Ahtisaari e shtoi rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur si faqe të parë të propozimit të tij.

Ai ka folur edhe për hetimet që janë bërë për vrasjen e Balajt e Xheladinit.

“Shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut në atë kohë, Robert Dean, pat bërë një hetim në pranverë, nga i cili doli konkluzioni që për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe të Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme, edhe të evitueshme. Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar, ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet Ministrisë sonë të Drejtësisë”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Kurti merr pjesë në mbledhjen komemorative në nderim të veprimtarit dhe të burgosurit politik, Afrim Morina

Ai ka folur edhe për atë që i ka paraprirë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007. “8 ditë më herët, u pat publikuar paketa e ndërmjetësit Ahtisaari për të cilën ne kishim shumë kritika e që i shpalosëm në tubime publike me qytetarë, anë e kënd Kosovës. Ishim të pakënaqur sepse të bindur që Kosovës i takon shumë më tepër, që populli i Kosovës meriton shumë më shumë dhe që padrejtësitë e reja nuk i durojmë”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij pakoja e Ahtisaarit ishte kundërshtuar me të drejtë atë kohë. “Aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtar të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serbë me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi nene e pa llogaridhënie ndaj neve”, ka theksuar Kurti.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *