Kurti serbëve: Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga serbët në Kosovë që të mos bien pre e manipulimeve të pushtetarëve serbë dhe të mos braktisin institucionet e Kosovës.
Të shtunën, serbët vendosin të largohen nga institucionet e vendit si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për shkallëzim të sanksioneve ndaj atyre që refuzojnë t’i konvertojnë targat ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa RKS.
Në shkrimin në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se nga 1 nëntori deri tash janë dhënë 843 qortime, si masë e parë e paraparë në vendimin e Qeverisë. Ai ka thënë se s’ka pasur asnjë incident a ankesë.
Sipas Kurtit, tensionet e fundit në veri nuk ka të bëjnë me rezistencë ndaj gjobave, por për luftë pushtetesh në Serbi.
“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje. Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se më 8 qershor 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës.
“Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën”, ka shkruar më tej Kurti.
Në fund ai ka ftuar qytetarët serbë që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Ka thënë se është kryeministër që s’është ndaj serbëve. I ka ftuar të mos i braktisin institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e manipulimeve politike.
“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”, ka përfunduar ai.
Rruga Press