KryesoreLajme

Kurti rikujton themelimin dhe aksionin e parë simbolik të LVV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar 20-vjetorin e themelimit me një tribunë të veçantë me temën “Historiku i Lëvizjes dhe ku jemi pas 20 viteve”, ku mori pjesë kryeministri në detyrë dhe lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti kujtoi ditën e parë të themelimit të Vetëvendosjes dhe aksionin simbolik që u zhvillua më 12 qershor të vitit 2005 në Prishtinë.

“Përafërsisht 20 metra nga ky vend që jemi tash ka qenë zyra e parë e Vetëvendosjes, në atë lokal që e kemi pasur me qira. Aty i kemi përgatitur aksionet që më pas i zhvillonim në kryeqytet, fillimisht në Prishtinë e pastaj edhe në qytetet tjera të Kosovës”, tha Kurti.

Lexo më shumë  SafeJournalists denoncon rrezikun për gazetarët gjatë protestës së opozitës në Tiranë

Ai përshkroi në detaje aksionin e parë simbolik të kësaj lëvizjeje, ku për herë të parë u shfaq slogani “Jo negociata, Vetëvendosje”.

“Saktësisht para 20 viteve, përafërsisht në këtë orë, kemi përfunduar aksionin dhe kemi shkruar ‘Jo negociata, Vetëvendosje’ te muri i UNMIK-ut, aty ku sot është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, tha Kurti, duke shtuar se aksioni ishte organizuar në mënyrë të koordinuar me 24 aktivistë.

“Secili aktivist e ka ditur se në cilin vend do ta shkruajë shkronjën e vet. Një shkronjë shkruhej për 10 sekonda, dhe vetëm në këtë mënyrë kemi mundur ta përfundojmë parullën para se të ndërhynte policia”, tha ai.

Lexo më shumë  Pesë gjeneralë serbë u dënuan veç 89 vjet për krimet në Kosovë, për 4 komandantë të UÇK-së kërkohen 180

Kurti tregoi se pati arrestime pas aksionit, por asnjë arrestim nuk u bë në flagrancë. Ai theksoi se ky aksion shënoi fillimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila u ndërtua mbi ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin politik.

Sot, sipas Kurtit, Vetëvendosje numëron mbi 60 mijë anëtarë, nga të cilët 10 përqind janë nga diaspora, ndërsa mosha mesatare e anëtarëve është 41 vjeç.

“Duhet të jemi krenarë që pas 20 viteve kemi një lëvizje të tillë, me bazë të gjerë qytetare, e që nisi si një ide për Vetëvendosjen si të drejtë themelore të popullit të Kosovës”, tha Kurti pos tjerash.

Rruga Press

YouTube player