Kurti pret në takim kryetarin e Leposaviqit
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren, Marina Bogojeviq dhe drejtorë komunalë.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale.
Gjithashtu thuhet se është diskutuar edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës.
Në këtë takim Kurti ka qenë i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Kryetari Hetemi, nënkryetarja Bogojeviq dhe drejtorët veçuan rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tani me qytetarë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak dhe shqiptar, me qëllim adresimin e kërkesave të tyre dhe planifikimit të projekteve dhe përgatitjet e kërkesave për mbështetjet nga niveli qendror”, thuhet në njoftim.
Rruga Press