KryesoreLajme

Kurti: Po i hapim rrugë zgjedhjeve të parakohshme në veri, sipas dakordimit me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për dakordimin për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Në një shkrim në Twitter, Kurti ripërsëriti deklarimet për reduktimin e pranisë së Policisë në tri komunat veriore.

Kryeministri tha se tani është hapur rrugë për zgjedhjet e parakohshme dhe shtoi se ato po bëhen konform marrëveshjes në Bratislavë.

“Që nga java e kaluar, ne kemi reduktuar praninë Policisë 25% në tri komunat veriore. Tani po fillojmë të hapim rrugën për zgjedhje të parakohshme në veri. Po zbatojmë tashmë me mirëbesim marrëveshjen me BE-në për de-përshkallëzimin e arritur në Bratislavë”, u shpreh Kurti.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që të ulen tensionet në veri. Kosovës po i kërkohet që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore, ndërkaq Serbisë që të bindë serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Rruga Press

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi
YouTube player