Kurti përmend luftën hibride, thotë se pati propagandë rreth doracakut për edukim seksual
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është shtuar lufta hibride ndaj Qeverisë kur foli për doracakun mbi edukimin seksual që ditëve të fundit pati shumë reagime rreth tij. Kurti ka shkruar në Facebook të dielën se për këtë çështje pati fushatë të egër propaganduese e përmbajtje manipuluese, duke thënë se sulmet ndaj Qeverisë u paraqitën si kinse gardianë të familjes.
“Këto ditë të fundit kemi qenë cak të një fushate të egër propaganduese, diskutime e komente të shumta me përmbajtje manipuluese dhe një përpjekje të krijimit të kauzave të paqena. Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Qeveria ka bërë politika për fëmijët dhe familjen, derisa përmendi shtesat dhe programet që “pasurojnë përvojën shkollore për nxënësit”.
“Të dashur qytetarë. Lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve. Ju faleminderit për mirëkuptimin që keni treguar përkundër të gjitha turbullirave nga diskutimet e papërmbajtura ditëve të fundit”, ka thënë Kurti.
Rruga Press