KryesoreLajme

Eksperti i sigurisë nga Instituti “Octopus”: Serbia kërcënon sërish, BE-ja duhet të reagojë

Eksperti i sigurisë i Institutit “Octopus”, Ridvan Emini, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Aleksandar Vulin, duke i cilësuar ato si kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Sipas Eminit, thirrjet e Vulinit që Serbia të veprojë sipas modelit të operacioneve të Mossad-it në Iran, duke targetuar politikanë dhe udhëheqës institucionalë, përbëjnë retorikë të rrezikshme që synon frikësimin, mobilizimin dhe nxitjen e tensioneve ndëretnike në Kosovë.

“Deklaratat e ish-shefit të BIA-s dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste, Aleksandër Vulin, janë kërcënim dhe alarm për sigurinë e Kosovës. Thirrjet që Serbia të veprojë sipas modelit të operacioneve të Mossad-it në Iran, duke targetuar politikanë e udhëheqës institucionalë, është retorikë e rrezikshme që synon frikën, mobilizimin dhe nxitjen e dhunës ndëretnike në Kosovë. Kjo është strategjia e destabilizimit, prandaj Instituti “Octopus” ka vlerësuar domosdoshmërinë e reagimit me masa konkrete nga SHBA dhe BE. Gjuha e ish shefit të BIA-s, i cili ka qenë po ashtu shef i ushtrisë e i policisë serbe, nuk guxon të relativizohet si një provokim i zakonshëm. Kur një figurë e tillë në Serbi flet për plane kundër zyrtarëve të Kosovës, jo vetëm që shpërfaq qasjen e mëtejme shoviniste, por është gjithashtu paralajmërim për skenarë dhune”, ka shkruar Emini.

Lexo më shumë  Integrimi në BE, 85% e bizneseve në Shqipëri rrezikojnë faliment, nëse nuk plotësojnë standardet

Sipas Eminit, deklaratat e Vulinit përbëjnë dëshmi të një qasjeje destabilizuese nga Beogradi, duke përmendur edhe rastet e Banjskës (2023) dhe incidentin në kanalin e Ibër-Lepencit (2024).

Emini, mes tjerash, vlerëson se në rrethanat kur vëmendja ndërkombëtare është e përqendruar në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, këto zhvillime janë test për reagimin institucional të Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

“Ky është diskurs i hapur kërcënues që minon stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Duke deklaruar se Serbia “e di si bëhen këto gjëra”, e vërteton implikimin e Beogradit në veprimet e kaluara, si në rastin e Banjskës (2023) dhe kanalit të Ibër Lepencit (2024). Thirrjet e tij janë po ashtu sinjal i rrezikshëm që normalizon operacionet subversive e të dhunës politike si instrument shtetërore. Ky diskurs, në kohën kur vëmendja ndërkombëtare është në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, është test për reagimin institucional të Kosovës dhe të faktorit ndërkombëtar”, ka shkruar Emini.

Lexo më shumë  Mbështetja për Albin Kurtin është detyrë patriotike

Mes tjerash, Emini theksoi se gjuha e Vulinit ndaj Kosovës reflekton jo vetëm qëndrime nga Serbia, por edhe ndikimin rus, për shkak të lidhjeve të njohura të tij me qarqe pranë Kremlinit.

YouTube player