KryesoreLajme

Kurti: Për presidentin do ta ftoj në takim opozitën, është mirë në sallë të jenë 84-86 deputetë

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së presidentit do t’i ftojë në takim kryetarët e partive opozitare. 

Ndërkohë për ofertat që do të jenë në ato takime Kurti ka theksuar se është mirë që të pritet të ndodhin ato.

Ai ka thënë se beson që është mirë që të ketë 84-86 deputetë në sallë. 

“Padyshim që do të bëj ftesa për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81, duhet të jemi rreth 84-86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty. Për këtë do të bëjmë edhe ftesa e do të ketë edhe takime, por çfarë ofertash do të ketë në ato takime duhet të presim që të ndodhin ato takime”, është shprehur Kurti në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë. 

Lexo më shumë  Haxhiu dhe Konjufca nderojnë viktimat e masakrës së Podujevës

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur kohë të mjaftueshme të bëj konsultimet e brendshme.

Gjykata Kushtetuese më 25 mars ka nxjerr një aktgjykim me të cilin i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të shtetit. Në të kundërtën, sipas aktgjykimit, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Nëse nuk do të ketë president brenda kësaj periudhe të përcaktuar nga Kushtetuta, atëherë bazuar në afatet e përshkruara në aktgjykim, deri më 7 qershor qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit.

Lexo më shumë  Kurti nderon viktimat në masakrën e Podujevës, kërkon drejtësi për krimet e luftës

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati pesëvjeçar i përfundon më 5 prill. Osmani e pati shprehur synimin për edhe një mandat, porse ajo nuk është propozuar për këtë post. Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Rruga Press

YouTube player