Lajme

Kurti parasheh përparim në energjinë e ripërtëritshme brenda 10 vjetësh

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria ka bërë investime ne fushën e ekonomisë dhe se organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin e Kosovës në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Kurti ka folur në konferencën e Forumit Ekonomik të Vjenës nga ku ka theksuar se Kosova shikon përpara të ardhmes së gjelbër.

Ai përmendi edhe marrëveshjen me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.

“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megabit të prodhuar nga energjitë e rinovueshme. Po krijojmë gjithashtu fondet e para sovrane të pasurisë së vendit tonë”, ka thënë ai.

Kurse, Elena Kirtcheva, anëtare e bordit dhe sekretare e përgjithshme e Forumit Ekonomik të Vjenës, tha se qëllimi kryesor forumit është konsolidimi i rajonit, i cili, siç tha ajo, ka nevojë për Evropën, por edhe i nevojitet asaj.

“Ne duhet të shohim përpara duke pasur prioritet konsolidimin e rajonit. Ky është qëllimi kryesor i një forumi ekonomik, që të ketë konsolidimin sepse rajoni ka nevojë për Evropën, por më lejoni të them që Evropa ka nevojë për rajonin gjithashtu”, është shprehur Kirtcheva.

Edhe Victor Jackovich, kryetar i Forumit Ekonomik të Vjenës, tha se Kosova është pjesë integrale e Evropës, teksa konsideroi se ka edhe një ekonomi të gjallë.

Lexo më shumë  Muja i përgjigjet Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro

Ndërsa për sfidat, Jackovich tha se Kosova ka edhe presione nga jashtë por se beson se do t’i kapërcejë ato.

“Sot ju keni një ekonomi të gjallë, një shtet funksional, një popullatë shumë të talentuar dhe një qeveri të mençur. Ka shumë sfida që përballeni, edhe presione do të thosha prej shumë vendeve të ndryshme, nga Uashingtoni, nga Brukseli, nga Beogradi, nga kudo. Ndoshta ky është fati i një shteti të vogël. Sepse ju keni një demokraci dhe sepse keni mbështetjen e popullit tuaj dhe një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, ju jeni në gjendje t’i përballoni këto sfida dhe t’i kapërceni ato dhe është në këtë mjedis Forumi Ekonomik i Vjenës do të vazhdojë”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se energjia e ripërtëritshme është epoka ku investimet në Kosovë mund të kenë ndikim të madh. Kosova, tha ai, po bën përparim në këtë fushë.

Kurti: Shifrat tregojnë se jemi në rrugën e duhur

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se shifrat në fushën e ekonomisë gjatë dy viteve të fundit tregojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Ai deklaroi se gjatë dy vjetëve, taksat janë rritur në 66 për qind, e investimet e huaja direkte janë dyfishuar.

“Mesatarisht, gjatë çdo viti të qeverisjes tonë, kemi gjeneruar më shumë të ardhura për ekonominë, sesa në tre vitet e mëparshme së bashku. Në të njëjtën kohë, renditjet e organizatave të respektuara ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin tonë të rëndësishëm në fushat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. I kemi forcuar gjithashtu urat me fqinjët tonë të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Të arrestuarit në Kosovë për mbishkrimet nxitëse në gjuhën serbe, pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi

Ai tha se lufta në Ukrainë, protestat për ndryshimet klimatike dhe rritja e rezistencës ndaj pabarazisë sociale, kanë shënuar fundin e një kohe ku “fitimi mund të shkëputet nga vlerat etike”.

“Përafrimi i vlerave tona thelbësore me objektivat tona ekonomike ka qenë qasja me të cilën qeveria jonë ka vendosur të zotërojë detyrat në fjalë. Ne shmangëm zgjidhjet e shpejta në favor të veprimeve të shumëanshme që do ta bënin shoqërinë tonë më të barabartë, elastike, të begatë dhe të qëndrueshme. Kjo do të thoshte se përpjekjet tona për të frenuar korrupsionin dhe krimin duke nisur mbi 850 operacione policore u kombinuan me përpjekjet për t’iu kthyer grupeve të cenueshme më të prekura nga ky korrupsion. Rritëm masat e sigurimit të mirëqenies, si subvencionet për 340,000 fëmijë nën moshën 16 vjeç dhe nënat e reja, si dhe ndihmën studentore për 66,000 studentë. Ne kemi lannsuar gjithashtu një platformë punësimi për të rinjtë që ka krijuar mbi 2000 vende pune vetëm në një muaj”, shtoi ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *