Lajme

Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se së fundmi institucionet e sigurisë kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme të grupeve të strukturave të Serbisë në Kosovë, për siç thotë kryeministri, fajësimin e Policisë dhe paraqitjen e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë të enjten, Kurti ka thënë se Serbia asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më shumë regjimit të Millosheviqit në metoda e veprime.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata. Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Lirimi i Milan Radoiçiqit në më pak se 24 orë, sipas Kurtit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, “sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militar dështoi”.

“Dokumenti i para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, duke filluar nga Presidenca, shërbimet e inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria, në frymëzimin, përgatitjen dhe furnizimin në pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë janë motiv shtesë për skenarë të tjerë destabilizues”, është shprehur Kurti.

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ditëve të fundit të jenë të vëmendshëm e të vetëpërmbajtur nga “aktet e dhunës dashakeqe”.

“Andaj ju bëjë thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcjellni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, ka shtuar shefi i ekzekutivit.

Rruga Press

YouTube player