Kurti: Nuk mendoj se Ballkani i Hapur do të ketë sukses
“Unë nuk mendoj se Ballkani i Hapur do të ketë sukses. Edhe mendoj se është i gabueshëm”. Janë këto fjalët e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që këmbëngul se nisma e përqafuar nga Beogradi-Tirana dhe Shkupi nuk është e mirë për shqiptarët.
“Ballkani i Hapur nënkupton një synim që nuk na qenka i hapur, por duhet ta hapim, por ndaj kujt? Ne jemi të hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së, dhe NATO-s. Por të hapet Ballkani ashtu siç është hapur Serbia për Federatën Ruse dhe Kinën, unë mendoj se është gabim” – tha Kurti në Syri TV.
Kurti hedh poshtë zërat se edhe ai do t’i bashkohet nismës ndërsa jep edhe argumentet.
“Nëse Ballkani na u dashka të jetë i hapur, le të hapet Serbia për Kosovën. Nëse shkon me letërnjoftim të Kosovës në Serbi, në kufi i thithin të dhënat biometrike dhe të japin një letër, ku shkruan se “e ke humbur kartën e identitetit të Serbisë nga viti 1999”. Dhe ti mund të mos jesh i lindur nga vitin 1999.
Nëse ulesh në aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari” dhe dëshiron të shkosh në Preshevë, nuk të lejohet. Duhet të shkosh ose në Maqedoninë e veriut, ose në Mal të Zi, sepse ata e konsiderojnë se është hyrje ilegale në territorin e Serbisë.
Çfarë Ballkani i Hapur është ky? Aty janë 4 marrëveshje gjithsej. Vetëm në takimin e 8-të mes dy qeverive ne nënshkruam 19 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume, e protokolle që është gati pesëfishi i atyre” – tha Kurti.
“Nuk mendoj se duhet të zgjedhim mes dy të këqijave. Shpeshherë në politikë më kanë thënë a do shkëmbim territorial apo “Zajdenicën”? A ta thyejmë këmbën, apo dorën? Mos të thyejmë asnjërën.
Pse ne shqiptarët që jemi tkurrur historikisht, tani nuk e popullojmë as gjysmën e territorit që e kemi populluar para 1 shekulli, pse na u dashka që të zgjedhim të keqen më të vogël.
Sepse pansllavizmi po merr prap hov, sepse Kremlini do të zgjerohet e ne duhet të zgjedhim, a të na thyejnë këmbën, apo dorën. Unë them të bashkëpunojmë sa më shumë me njëri-tjetrin që të mos dëme siç i kemi pësuar historikisht” – thotë Kurti që e thotë me bindje se nisma nuk u shërben shqiptarëve.
“Çdo gjë që nuk është e mirë për Kosovën nuk është e mirë as për Shqipërinë. Ç’ka nuk është e mirë për Shqipërinë nuk është e mirë as për Kosovën.
Ne jemi dy shtete por jemi një komb dhe duhet të rrisim bashkëpunimin dhe ndjeshmërinë për njëri-tjetrin. Në ‘Procesin e Berlinit’ udhëheq Gjermania, në ‘Ballkanin e Hapur’ udhëheq Serbia, unë besoj se procesi i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit Scholts është rruga e duhur drejt integrimit europian.
Nuk është shpejt por nuk ka rrugë më të mirë dhe mos harroni që Serbia dëshiron që faktorët perëndimorë të mos jenë në një vijë. Serbia dëshiron që as Gjermania të mos pajtohet me Francën dhe as Brukseli më Uashingtonin. Ndërkohë që interesi i shqiptarëve është raporti i mirë trans-atlantik, ne kemi interes sinkronizimin e dyfishtë, sinkronizimin Paris-Berlin dhe Bruksel-Uashington.
Serbia njësoj si Kremlini dëshiron që faktorët perëndimorë të jenë të përçarë. Është gabim që ne shqiptarët provojmë si Serbia të luajmë me dallimet mes faktorëve perëndimorë. Jo! Neve na intereson ajo çfarë është e përbashkët ndërmjet Berlinit-Brukseli-Parisit-Uashingtonit dhe Londrës.
E përbashkëta e tyre është perëndimi demokratik dhe ky është interesi i shqiptarëve në dallim nga Beogradi dhe Moska që dëshirojnë të luajnë në dallimet mes tyre për t’i rritur ato dhe për të rënë edhe Nato-ja edhe Bashkimi Europian.
Mos harrojmë si ka nisur Ballkani i Hapur! Ka nisur në tetorin e vitit 2019 kur ‘Vetëvendosja’ i fitoi zgjedhjet për herë të parë dhe Beogradi u alarmua shumë. Së dyti kur u pa që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do t’i çelen negociatat për anëtarësim dhe së treti si rezultat presidenti i Serbisë e ftoi dhe kryeministrin e Shqipërisë edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe ju tha ‘ejani tek unë në Novisad se nuk ju do Europa ju. Unë ju dua’.
Në njëfarë mënyre ky nuk është procesi i Novisad. Pra unë nuk jam për ‘Procesin e Novisadit’ unë jam për ‘Procesin e Berlinit’, ajo ka filluar atje në Novisad dhe synimi është të krijohen nisma rajonale si në shekullin 20 kur dominon Serbia.
Serbia për tu kualifikuar që të bashkëpunojë me Kosovën, Shqipërinë , do të duhet të ndërrojë raportin që ka së pari me Kosovën. Ato mohojnë gjenocidin që kanë kryer në Kosovë dhe le më pastaj edhe thonë se nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës” – thotë Kurti.
Rruga Press