Lajme

Kurti nga Fortesa: Shumë varre këtu janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor të masakrës në Fortesë të Rahovecit.

Kreu qeveritar tha se ndodhet aty në përkujtim të dëshmorëve dhe martirëve të vrarë në këtë masakër, e për të nderuar sakrificën dhe qëndresën e popullit për liri, si dhe mbijetesën përballë gjenocidit të Serbisë.

Në këtë tubim përkujtimor, kryeministri Kurti ktheu në kujtesë disa nga raportimet e ndërkombëtarëve për gjenocidin e tmerrshëm që po ndodhte asokohe në Kosovë, derisa tha se shumë varre janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë.

Lexo më shumë  Kurti bënë homazhe në 26-vjetorin e masakrës në Goden të Gjakovës

“Mirëpo, ju këtu të dashur qytetarë të Republikës, jeni dëshmia e qëndresës së popullit tonë dhe e fitores së shtetit të pavarur. Kjo datë e sotme është përkujtim se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë”, tha para të pranishmëve kryeministri në këtë ditë përkujtuese në Fortesë.

Kreu i qeverisë tha se, në një ditë si kjo, para së gjithash e mbi të gjitha kujtojnë gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve që ndodhet në themelet e shtetit.

“Si institucione të Republikës me përgjegjësi  dhe si qytetarë të Republikës me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje, dhimbje e humbje që kaloi brezi ynë. Bëhemi bashkë që ata të kenë të ardhme të ndritshme, me një Kosovë, me një rajon, me një Evropë e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga NATO-ja, nga çfarëdo agresioni. Ushtria e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e fuqishme, e kufijtë e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë të mbrojtur si sot”, tha ai.

Lexo më shumë  Maqedonci: Përmes intervenimit në Kosovë, NATO përmbushi qëllimin e ekzistencës si aleancë

Rruga Press

YouTube player