Kurti në ODI: Orientimi e vlerat tona janë forcuar nga BE-ja dhe NATO-ja
Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar për një bashkëbisedim të organizuar nga instituti ODI (Overseas Development Institute).
Kurti ka përshkruar rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe demokratizimit, në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës në qershorin e vitit 1999. Në këtë drejtim, ai ka kujtuar rolin e diasporës në ndërtimin e Kosovës si dhe ka vlerësuar kontributin e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve.
I pyetur mbi zhvillimin e vendit, Kurti ka thënë se ekonomia po rritet dhe orientimi e vlerat tona janë forcuar kah BE-ja dhe NATO-ja, demokracia, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik e luftimi i korrupsionit. Ai ka thënë se progresi demokratik dhe zhvillimi ekonomik duhet të ecin paralelisht krah për krah me njëra tjetrën.
“Kryeministri reflektoi mbi progresin ekonomik në tri vitet e fundit, ku Kosova ka shënuar dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, shtimit të ekonomisë së vendit çdo vit me nga një miliard, rritje të të hyrave buxhetore pa ndërruar politikat fiskale, mesatare të rritjes ekonomike prej 6.2%, si dhe rritje të punësimit me 20% ndër të tjera. Ai theksoi se rëndësi të veçantë ka patur që kjo rritje të shpërndahet për shoqërinë e qytetarët, andaj dhe janë ndërmarrë iniciativa e politika, si arsimi i lartë falas, shtesat për fëmijë e nënat lehona, si dhe po zhvillohet sistemi dual i edukimit me qëllim ndërlidhjen e shkollimit me tregun e punës, e ku përfituesit më të mëdhenj janë të rinjtë dhe gratë”, ka njoftuar Kryeministria.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar mbështetjen për bizneset, industritë e ndërmarrjet, duke veçuar avancimet në sektorin e teknologjisë dhe potencialin për zgjerim dhe ngritje të këtij sektori.
“Teksa rikujtoi dhe nënshkrimin e marrëveshjes 400 milionë euroshe me BERZH në Samitin e mbajtur në Londër në shkurtin e këtij viti, kryeministri tha se përkrahja financiare e aleatëve tanë do na mbështesë tutje në kanalizimin e përpjekjeve tona në rrugëtimet integruese, e ku veçoi dhe Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Rruga Press