Kurti në Kuvend: Jepjani mbështetjen Policisë, e cila është në vijë fronti me milicinë fashiste
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve në Kuvend ka folur për situatën në veri të vendit.
Ai tha se për gjendjen në terren deklaratat që lëshohen nga organet tona të sigurisë janë ato që, siç u shpreh ai, janë të sakta edhe të vërteta.
“Për gjendjen ne terren, deklaratat që lëshohen nga organet tona të sigurisë janë ato që janë edhe të sakta, edhe të vërteta. Rolin kryesor në organizimin e protestuesve në terren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajturës ‘Mbrojtje civile’ dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren. Këto protesta me gjithë dashakeqësinë e tyre neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikime të vlefshme”, tha ai,
Kurti para deputetëve kërkoi mbështetje për Policinë, duke thënë se kjo u duhet atyre.
“Për këtë përballje, Policisë së Kosovës i duhet Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka, Policisë së Kosovës i duhet Kuvendi i Republikës, ju tregoni a e ka, Policisë së Kosovës i nevojitet populli i Kosovës, e ka, pra është në dorën tonë kjo fitore e radhës për sundim të ligjit dhe kushtetueshmëri, Policia jonë ka nevojë për mbështetje, jepjani këtë mbështetje”, tha Kurti.
Tutje, teksa kërkoi mbështetje për ta, tha se Policia është në vijë fronti me milicinë fashiste.
“Jepjani këtë mbështetje Policisë së Republikës, e cila është në vijë fronti me milicinë fashiste, nuk jemi kundër serbëve, i kemi ftuar që të kthehen në institucione, u kemi thënë ‘merrni pjesë në proces demokratik’, mirëpo gabimin e Listës Serbe që i bojkotoi zgjedhjet, që i braktisi institucionet, nuk duhet ta paguajë Republika jonë, por Lista Serbe, ai është vendim politik i tyre, pasojat e të cilit duhet t’i marrin ata vetë”, u shpreh tutje ai.
Rruga Press