Kurti në Forumin e Varshavës për Siguri: Serbia, kërcënim për fqinjët në Ballkanin Perëndimor
Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kosovën dhe fqinjët në Ballkan, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur në Forumin e Varshavës për Siguri. Ai ka arsyetuar veprimet që ndërmori në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, të cilat tha se u bënë në funksion të rritjes së sigurisë dhe parandalimit të ndikimit serb e rus.
Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për fqinjët në Ballkanin Perëndimor duke përdorur modelin rus, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Varshavës për Siguri.
Në fjalimin për temën “Fokusohuni në Ballkanin Perëndimor: lidhja e gjeopolitikës dhe integrimit evropian”, Kurti përmendi sulmin terrorist të para një viti në Banjskë të Zveçanit, tek tërhoqi analogji mes veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe Serbisë në Kosovë.
“Serbia që sot është e njëjtë sikurse në kohën e Millosheviqit, vazhdon t’i kërcënojë fqinjët, duke dhunuar sovranitetin dhe territorin e shteteve, përfshirë Kosovën. Ajo kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2024. Qëllimi i tyre ishte që të imitojnë operacionin e Rusisë në Donbas në vitin 2018. Pas sulmit policia jonë sekuestroi mijëra armë. Nuk është ekzagjerim të themi se policia jo vetëm që mbrojti Kosovën, por pengoi një konflikt të hapur i cili mund të kishte pasoja ndërkombëtare. Derisa Serbia vazhdon ta destabilizojë veriun e Kosovës, Rusia tenton njëjtë të hapë konflikte të reja”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për rritjen e prezencës policore në veri dhe vendimet lidhur me atë pjesë që, sipas tij, u bënë me qëllim të rritjes së sigurisë dhe shtrirjen e ligjshmërisë.
“Kur flasim për mbrojtje dhe siguri nuk mjafton vetëm të jemi pro saj, por edhe ta bëjmë. Mbrojtja e progresit është e njëjtë sikurse mbrojtja e popullit. Në veri kemi themeluar stacione të reja policore, kemi hapur pompa të derivateve, po ashtu ka filluar regjistrimi i bizneseve dhe kjo paraqet një progres për normalitet në veri. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë siguri dhe prosperitet për të gjithë pavarësisht etnisë që i takojnë. Sot më shumë se kurrë na duhet ndihma e NATO-s, Polonisë dhe aleatëve për promovimin e paqes”, tha ai.
Tek u foli pjesëmarrësve për rezultatet e qeverisjes së tij, Kurti përsëriti se qëllimi final i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE.
Rruga Press