Kurti në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të NALT-it: Kosova sot është më e fortë se kurrë më parë falë aleatëve të saj
Kryeministri Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, vlerësoi lart profesionalizmin e Gjeneral Brigade Nawrat dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin dhe kontributin e çmueshëm të gjeneralit dhe ekipit të tij.
“Me profesionalizmin tuaj të treguar gjatë bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ju i keni dhënë kuptim dhe shtytje marrëdhënieve të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s”, u shpreh kryeministri.
Në kuadër të këtyre raporteve, ai shtoi se NATO-ja përveç se një aleancë ushtarake, është sinonim i sigurisë, lirisë dhe paqes së ndërtuar mbi bazën e partneritetit të fuqishëm të shteteve anëtare. Kësisoj, integrimi i plotë në NATO i Republikës së Kosovës mbetet synimi ynë i palëkundur, derisa zhvillimi i ushtrisë dhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është duke u bërë pikërisht duke u mbështetur, respektuar dhe përmbushur standardet e vendosura nga NATO-ja.
“Ne kemi dëshmuar që kemi një forcë moderne, multietnike, të gatshme dhe të aftë për misione ndërkombëtare. Kemi marrë pjesë dhe kemi realizuar me sukses operacione ndërkombëtare duke u shndërruar kështu nga konsumues, në ofrues dhe kontribues të sigurisë dhe garantues e roje të paqes. E ardhmja e sigurisë në rajonin tonë nuk ndërtohet mbi retorika e mendësi të vjetra e të kaluara tashmë, por mbi bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e ndërsjellë me fqinjë dhe aleatë. Republika e Kosovës sot është më e fortë se kurrë më parë, pikërisht për shkak se gjatë rrugëtimit të saj ka pasur dhe ka aleatë të fortë”, tha ai.
Tutje, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje drejtorit të ri, Gjeneral Brigade, Dr. Sven Lange, duke shprehur vullnetin për të vazhduar punën e ngushtë në rrugën tonë drejt NATO-s.
Rruga Press