Lajme

Kurti: Me Greqinë gëzojmë raporte të mira, të shtohen lidhjet ekonomike

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Greqia kanë raporte të mira dhe po vazhdojnë të përmirësohen vazhdimisht, duke shprehur se është i interesuar që t’i forcojë lidhjet ekonomike.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se pas takimit të Kurtit në Athinë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, Kurti është shprehur pro bashkëpunimit të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.

“Fillimisht, kryeministri Kurti i uroi homologut të tij grek, Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët. Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve”, thuhet në komunikatën për media të martën.

Lexo më shumë  Kosova fillon kapitullin e negociatave për tregtinë e shërbimeve me vendet EFTA 

Në takim u tha se është folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti ka thënë se dy vendet kanë tashmë marrëveshje, por që duhet të zbatohen plotësisht dhe pa kushtëzime.

“Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm. Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, u tha tutje.

Lexo më shumë  Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Kurti e ka ftuar Mitsotakisin për vizitë në Kosovë dhe për investime.

“Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021”, njofton Zyra.

Rruga Press

YouTube player