Kurti: Kushtëzimi i Serbisë me Asociacion është shndërruar në qëndrim të emisarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka mundur të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se në takimin e së enjtes në Bruksel ka prezantuar një propozim për zbatimin e marrëveshjes bazë e se Serbia ka kërkuar fillimisht Asociacionin e komunave.
Sipas tij, propozimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të Bashkimit Evropian.
“Nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. S’është marrëveshja e vitit 2013. Qartë Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të cilat të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë 39 sosh gjithsej. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet një e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, ka thënë ai para gazetarëve.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se propozimi i Serbisë, i dorëzuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, është të paktën gjashtë muaj i vjetër.
“Vlerësimin më të saktë do të mund ta bëjë cilido prej juve pasi të lexojë propozimin tonë, hapat që duhet ndjekur e edhe kushtëzimin që e paska dhënë Beogradi para 6 muajve, dokumenti s’ka datë, por është e qartë se dokumenti është shkruar para se të bëhet Marrëveshja e Ohrit”.
Ka shtuar se i vjen keq që Lajçaku e ka pranuar një kushtëzim të tillë. Sipas tij, “kushtëzimin që e ka pranuar Lajçaku, e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.
“Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues… E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë. Ne kemi bërë një propozim…Secilin nen nga 11 sosh të Marrëveshjes, secilën fjali dhe pikë jam i gatshëm e i interesuar që të zbatojmë një orë e më parë në plotëni”, ka deklaruar Kurti.
“Unë e kam pasur durimin që gjysmë ore ta dëgjoj ekipin menaxhues teksa na e lexon propozimin për një Republikë Serbe në Kosovë. Ajo shkoi.. nuk mund të vazhdojmë me Asociacionin derisa të zbatohet plotësisht Asociacioni e më pastaj të shohim për këtë marrëveshjen… i tillë është kushtëzimi i Serbisë që është shndërruar fatkeqësisht në qëndrim të emisarëve”, ka thënë Kurti.
Kurti para gazetarëve po ashtu ka thënë se u takon ndërmjetësve të tregojnë se si bëhet që Kosova të japë tri propozime e Beogradi asnjë dhe “kur neve na thonë pastaj që ka dhënë edhe Beogradi, iu duhet mbi një orë që ta gjejnë një dokument mbi gjashtë muaj të vjetër”.
“Nuk ka propozim të Beogradit, ka dokument kushtëzues që kur ta lexoni do ta vërtetoni. Nuk mund të ketë kompromis midis kushtëzimit dhe propozimit. E fundit, sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë vetëm Kosova. Bashkimi Evropian është aty për të siguruar që propozimet e palëve janë përbrenda frymës dhe formës së BE-së. Ata nuk bëjnë propozime, kujdesen që propozimet e palëve të jenë të tilla që nuk tejkalojnë kornizën evropiane. Pala serbe nuk ka sjellë propozim, por e ka dërguar një kushtëzim te BE-ja”, ka thënë në fund ai.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë e ka njohjen de facto.
“Ta vendosësh Asociacionin në qendër është në kundërshtim me Marrëveshjen Bazike që e kemi pranuar e lansuar më 27 shkurt dhe që është bërë pjesë e konkluzioneve…”, u shpreh tutje ai.
Rruga Press