KryesoreLajme

Kurti kujton grevën e minatorëve të Trepçës: “Kosova Republikë”, akti që hapi epokën e rezistencës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepça, duke e cilësuar atë si një nga momentet kyçe të rezistencës politike të shqiptarëve në fundin e viteve ’80.

Në mesazhin e tij, Kurti rikujtoi se më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera, duke hyrë në grevë urie. Atyre iu bashkuan edhe minatorët e ndërrimeve të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të grevistëve në rreth 1300.

Lexo më shumë  Protesta është politike, problemi është se kemi harruar çfarë do të thotë politikë

Sipas tij, minatorët ngritën 10 kërkesa, mes tyre edhe shqyrtimin e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në shenjë kundërshtimi ndaj cenimit të statusit autonom të Kosovës brenda federatës jugosllave.

Kurti rikujtoi gjithashtu marshin e 17 nëntorit 1988 nga Stantërgu në Prishtinë, si dhe parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”, të shkruara në vitin 1983 nga minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari.

Ai theksoi se, megjithëse kërkesat e minatorëve nuk u realizuan dhe pasoi arrestimi i 15 prej tyre, greva e shkurtit 1989 shënoi një akt të rëndësishëm rezistence, që parapriu suprimimin e autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989 dhe periudhën e represionit që pasoi.

Lexo më shumë  Haxhiu: Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës mbetet obligim i përbashkët

“E kaluara dhe historia jonë janë themeli i shtëpisë sonë politike: Republikës së Kosovës”, theksoi Kurti, duke nderuar kontributin ndër breza për shtetndërtimin e vendit.

Rruga Press

YouTube player