KryesoreLajme

Kurti kujton grevën e minatorëve të Trepçës: “Kosova Republikë”, akti që hapi epokën e rezistencës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepça, duke e cilësuar atë si një nga momentet kyçe të rezistencës politike të shqiptarëve në fundin e viteve ’80.

Në mesazhin e tij, Kurti rikujtoi se më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera, duke hyrë në grevë urie. Atyre iu bashkuan edhe minatorët e ndërrimeve të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të grevistëve në rreth 1300.

Lexo më shumë  Veliaj ofron pasuri për tu liruar nga burgu

Sipas tij, minatorët ngritën 10 kërkesa, mes tyre edhe shqyrtimin e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në shenjë kundërshtimi ndaj cenimit të statusit autonom të Kosovës brenda federatës jugosllave.

Kurti rikujtoi gjithashtu marshin e 17 nëntorit 1988 nga Stantërgu në Prishtinë, si dhe parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”, të shkruara në vitin 1983 nga minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari.

Ai theksoi se, megjithëse kërkesat e minatorëve nuk u realizuan dhe pasoi arrestimi i 15 prej tyre, greva e shkurtit 1989 shënoi një akt të rëndësishëm rezistence, që parapriu suprimimin e autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989 dhe periudhën e represionit që pasoi.

“E kaluara dhe historia jonë janë themeli i shtëpisë sonë politike: Republikës së Kosovës”, theksoi Kurti, duke nderuar kontributin ndër breza për shtetndërtimin e vendit.

Rruga Press

YouTube player