Lajme

Kurti: Këtë vit planifikojmë të fillojmë reformën e sistemit pensional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin për rritjen e pensioneve, duke thënë se po synojnë të ndihmojnë shtresat sociale, që kanë më së shumti nevojë. Ai ka thënë se këtë vit planifikohet të fillohet me reformën e sistemit pensional.

Kurti ka pohuar se me vendimin që kanë marrë në mbledhjen e Qeverisë, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%.

“Me vendimin e djeshëm të Qeverisë janë rritur pensionet ashtu që të mos kemi asnjë të tillë nën 100 euro. Kësisoj, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%. E dimë që jemi larg mirëqenies por duam që me rritjen aktuale ekonomike të ndihmojmë shtresat sociale që kanë më së shumti nevojë. Këtë vit planifikojmë të fillojmë edhe reformën e sistemit pensional, që të sigurojmë sistem të drejtë dhe pension të dinjitetshëm për secilin pensionist që ka dhënë kontribut për vendin tonë’, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në Facebook.

Lexo më shumë  Finlanda vendi më i lumtur në botë, Kosova renditet e 16-ta. Lë pas Gjermaninë, Austrinë e Emiratet e Bashkuara Arabe

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditën e mërkurë, ka marrë vendim për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti nga shumat aktuale në shumën prej njëqind (100) euro, për pensionet bazike; pensionet e aftësisë së kufizuar; pensionet familjare; dhe pensionet invalidore të punës. Me miratimin e këtij vendimi, në Kosovë nuk do të ketë më pensione nën shumën prej 100 eurove.

Lexo më shumë  Nuk ka më terminale doganore private në Kosovë, të gjitha shtetërore

Rruga Press

YouTube player