KryesoreLajme

Kurti kërkon të zbatohet marrëveshja për lëvizje të lirë mes Kosovës e Bosnjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të enjten me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin u tha se ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Zyra e Kryeministrit njoftoi nëpërmjet komunikatës se Kurti ka folur për rëndësinë e marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit, duke kërkuar të zbatohen plotësisht, përfshirë edhe marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftim mes Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës.

“Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre”, thuhet në komunikatë.

Lexo më shumë  Kosova arrin vlerësimin e parë kreditor sovran, konsiderohet si pasaportë për vendin

Kurti e i dërguari gjerman kanë folur edhe për përgatitjet për samitin e 10-të të Procesit të Berlinit.

Në shkurt të 2023-s, Kuvendi i Kosovës pati ratifikuar marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e marrëveshjeve në kuadër të Samitit të Berlinit.

Megjithatë, kundër kësaj kishte dalë Bosnjë-Hercegovina, duke mos pranuar lëvizjen me letërnjoftime.

Pala boshnjake e pati nënshkruar në Berlin këtë nismë, por ajo s’kishte kaluar në Kuvend. Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh Republikën e Kosovës.

Lexo më shumë  Kurti: Strategjia për ujë siguron menaxhim me nevojat shtetërore
YouTube player