KryesoreLajme

Kurti kërkon të zbatohet marrëveshja për lëvizje me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin tha se ka diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, ndër to edhe për lëvizjen me letërnjoftime mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Kryeministria ka njoftuar nëpërmjet komunikatës se Kurti e Sarrazin kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga Samiti i radhës që do të mbahet në Berlin në 10-vjetorin e tij.

“Progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin, ishin temë e diskutimit. Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kryeministri theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Me 81 vota pro, miratohet në parim projektligji për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë

Kurti është shprehur mirënjohës për rolin e të dërguarit gjerman në forcimin e raporteve mes Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

“Procesi i Berlinit është platforma ku angazhohemi për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet tutje në komunikatë.

Lexo më shumë  Britania e Franca me mision ushtarak në Ngushticën e Hormuzit

Me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor është takuar të martën edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

YouTube player