Kurti: Kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë të papranueshme, ndërkombëtarët të jenë të zëshëm ndaj trysnisë së Beogradit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur të papranueshme kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë nga komuniteti serb, të cilët morën detyrën në fillim të kësaj jave dhe u vendosën në pjesën veriore të vendit.
Në një konferencë për media të mërkurën, Kurti ka thënë se faktori ndërkombëtarë duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar linçimi e frikësimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë.
“Më lejoni që të iu uroj fillim të mbarë të punës gjeneratës më të re të policëve të Kosovës, veçanërisht nga radhët e komuniteteve joshumicë në komunat veriore të vendit. I përgëzoj për kurajon për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe vullnetin e tyre për t’i shërbyer rendit e sigurisë në vend, sidomos 46 policët e rinj nga komuniteti serb”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.
“Fushatat kanale e platformat sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne edhe pse jam i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vetë tyre. Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë profesionistë të guximshëm. Faktori ndërkombëtar duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim e kanë parandalimin e integrimit të tyre në jetën institucionale të Kosovës”.
Ai tutje ka thënë se ata që integrohen jetojnë më mirë, ndërsa ata që nuk integrohen, mbesin peng i politikave të Beogradit.
Në fund, kryeministri është zotuar se institucionet e Kosovës do t’u ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj, ashtu sikurse edhe komunitetit prej nga vijnë e ku do të shërbejnë.
Rruga Press