KryesoreLajme

Kurti i kërkon Bosnjë dhe Hercegovinës heqjen e vizave për Kosovën

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi Planin e Rritjes, të mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me moton “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.

Kurti udhëtoi një natë më parë për të qenë pjesë e darkës me liderët rajonalë, të shtruar nga kryeministri nikoqir Hristijan Mickoski, ndërsa sot mori pjesë në panelin e parë të diskutimeve me temën “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”.

Në fjalimin e tij, Kurti vlerësoi Planin e Rritjes të BE-së si një hap të rëndësishëm për përshpejtimin e reformave dhe integrimit, duke kërkuar që mbështetja e Bashkimit Evropian të jetë në përputhje me përkushtimin e vendeve të rajonit për reforma demokratike dhe respektim të vlerave evropiane.

Ai nënvizoi nevojën që Kosova të ketë qasje të barabartë në programet dhe instrumentet e BE-së, përfshirë Konventën e Tranzitit të Përbashkët dhe organizatat për standardizim.

Lexo më shumë  Kurti mori pjesë në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare

“Kemi nevojë për investime që lidhen me sigurinë ekonomike të BE-së dhe për fonde që reflektojnë nivelin tonë të reformave. Plani i Rritjes është më ambicioz se IPA, por nevojiten më shumë mjete për të arritur nivelet e vendeve si Kroacia,” tha Kurti, duke përmendur se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë shumë më pak fonde për frymë në krahasim me Kroacinë gjatë viteve të fundit.

Tutje theksoi progresin e Kosovës që nga takimi i fundit në Kotor, përfshirë kryesimin e suksesshëm të CEFTA-s dhe miratimin e Planit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Kurti gjithashtu përmendi vendimin e Kosovës për të lejuar udhëtimin pa viza për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, duke kërkuar reciprocitet për qytetarët e Kosovës.

Lexo më shumë  113 vjet nga themelimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Në drejtim të Planit të Rritjes, Kurti theksoi përkrahjen e Kosovës për sektorët si turizmi, mbrojtja e konsumatorit dhe “Autostrada e Tregut të Përbashkët”, por propozoi edhe fusha të reja për bashkëpunim rajonal: teknologjitë digjitale dhe inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, bujqësia dhe mbrojtja.

Sipas tij zhvendosja e prodhimit (nearshoring) duhet të fokusohet tek partnerë të besueshëm, duke e konsideruar këtë si një mundësi të madhe edhe për BE-në.

Kurti përmendi gjithashtu nisma konkrete të ndërmarra nga Kosova si lansimi i portofolit digjital për identifikim elektronik, përparimi drejt integrimit në SEPA, funksionalizimi i pikave të përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe mbështetja për Marrëveshjen mbi Vlerësimin e Konformitetit të produkteve.

Në fund të fjalimit të tij, Kurti theksoi rëndësinë e sigurisë për rritjen ekonomike, duke theksuar se rajoni nuk është i izoluar nga zhvillimet gjeopolitike globale.

YouTube player