Lajme

Kurti: Fuqizimi ekonomik i grave e pavarësimi financiar mbeten çështje të papërfunduara

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026 është një nga hapat më të rëndësishëm që Qeveria e Kosovës e ka marrë për mbrojte nga dhuna në baza gjinore.

“Kjo strategji është një nga nismat për realizimin e vizionit të qeverisë sonë, që asnjë grua të mos jetoj me frikën e dhunës e çdo vajzë të rritet duke e ditur se është e sigurt”, tha Kurti.

Në konferencën për përmirësimin e qasjes në banim social dhe nismave për fuqizimin ekonomik për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore, kryeministri Kurti theksoi se fuqizimi ekonomik i grave ende mbetet sfidë.

Lexo më shumë  Anëtarësimi në KE, Zulfaj: Presim që Shqipëria të jetë aktive

“Fuqizimi ekonomik i grave e pavarësimi financiar mbeten çështje të papërfunduara te ne, dhe fatkeqësitë çdo kund”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti tha që edhe për zgjidhjen e problemit të banimit social do të bashkëpunoj me ministritë dhe komunat e Kosovës.

“Qasje progresiste duke mos lënë prapa askënd, duke mos lënë askënd jashtë, do të sigurojmë banim të dinjitetshëm për të gjithë. Për viktimat e dhunës në familje do të zhvillojmë planin e banimit social 3 vjeçar për vitet 2022-2024 me ministrinë e administrimit të pushtetit lokal dhe komunat si mbështetëse”, tha ai.

Kryeministri Kurti tutje në këtë konferencë tha që në qeverisjen e tij do të respektohen të drejtat e grave.

“Promovimi, respektimi dhe garantimi i të drejtave të grave dhe vajzave janë në qendër të punës tonë, për çdo ditë e në çdo vendim”, theksoi ai.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave 2022-2026.

Rruga Press

YouTube player