Kryesore

Kurti: Duke kujtuar Zahir Pajazitin dhe dëshmorët e tjerë, tregojmë sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Zahir Pajazitin, në datën e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti përshkroi ditët kur heronjtë e jetonin jetën në mënyrë intensive e të jashtëzakonshme, duke i shërbyer atdheut kundër armikut.

“Sivjet u bënë 27 vite nga atëherë! Mëngjesin e sotëm, bëmë homazhe te varri i Zahir Pajazitit, në Kompleksin Memorial ‘Zahir Pajaziti’ në Orllan, te vendlindja e Zahirit. Pastaj, nga Orllani u ndalëm në Podujevë, ku në sheshin qendror të qytetit vendosëm lule te shtatoret e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Ilir Konushevcit dhe Edmond Hoxhës.  Ato ishin ditët e fundit të jetës së tij, që ai e jetoi në një mënyrë aq autentike, intensive dhe të jashtëzakonshme. Njëmbëdhjetë ditë më parë, më 20 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte kthyer nga Shqipëria. Si gjithmonë, ilegalisht, e kishte kaluar kufirin në Shishman të Gjakovës, për t’u ndalur te Xhemë Jakupi”, shkroi Kurti.

Kryeministri thekson se bashkë me të ishin edhe Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi.

“Kishin shkuar t’i merrnin Hakif Zejnullahu me Ilir Konushevcin dhe Shaip Hazirin. Hera e parë që e kishte kaluar kufirin për të dalë nga Kosova në Shqipëri, kishte qenë viti 1980, për çka si i mitur që ishte, Zahirin e kishin burgosur 18 ditë në Shkodër dhe 15 ditë kur ishte kthyer në shtëpi. Shtatëmbëdhjetë vite më pas, tani ai po kthehej nga Shqipëria si një nga prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të nesërmen më 21 janar, ai i takoi shokët që t’i dëgjonte rrëfimet e tyre për dy aksione guerile që i kishin kryer gjatë kohës sa ai kishte qenë në Shqipëri. Në pesë vitet e fundit, vetë ai kishte organizuar dhe kishte kryer dhjetëra aksione guerile, duke shënjestruar disa nga figurat më famëkeqe të policisë së Serbisë dhe sigurimit shtetëror që e terrorizonin popullin e Kosovës në ato vite. Atentatet pothuajse perfekte të Zahirit me shokë, e kishin krijuar një mit për grupin e tij: ata bënin plane, sulmonin, kryenin aksione pa lënë shumë gjurmë dhe zhdukeshin deri në aksionin tjetër”, shtoi ai.

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë

Sipas tij, kjo lloj jete prej guerilësh, ua kishte imponuar Zahirit dhe shokëve të tij që të organizoheshin në grupe të vogla, të thirreshin me nofka mes tyre, të komunikonin edhe me kode, të ndërronin shpesh vendbanim, si dhe të jetonin në një formë gjysmë ilegale.

“Mes tyre, vetë Zahiri që e njihnin si ‘Ismeti’ nga emri i Ismet Abdullahut; Ilir Konushevci apo ‘Mërgimi’, Rexhep Selimi që e njihnin edhe si ‘Agroni’; Qerim Kelmendi – ‘Dema’, Rrustem Mustafa – ‘Remi’, Shaip Haziri – ‘Cima’, Avni Ajeti – ‘Sokoli’, Selim Haziri – ‘Bekriu’, Fatmir Humolli – ‘Baci’, Naim Haziri – ‘Dilaveri’, Sejdi Rama, Nebih Balaj, Nazmi Zuka, Isak Shabani, Lahi Brahimaj, Muharrem Ismajli dhe shumë shokë të tjerë që ishin pjesë e organizimeve të kohës. Kur qëllonte që ndonjëri të pikasej a të arrestohej, grupet riorganizoheshin për të mos u dekonspiruar shokët e grupit. Por kësaj radhe, gjurmimet e shërbimit sekret të Serbisë kishin gjetur kanalet e tyre të komunikimit deri te rrethet e grupeve të armatosura të UÇK-së në zonën e Llapit, të përqendruar mes Prishtinës dhe Podujevës”.

Natën mes 25 dhe 26 janarit, Zahiri me vëllain e tij Bajramin, si dhe Hakif Zejnullahu me dy vëllezërit e tij Bajramin dhe Sabedinin, e kaluan në shtëpinë e familjes së Zahirit.

Ajo natë ishte hera e fundit që Zahiri fjeti në shtëpinë e tij.

Më 30 janar, Zahiri i takoi sërish disa nga shokët në Podujevë dhe u kërkoi të bënin kujdes. Si Zahiri, ashtu edhe Hakifi, kishin filluar të dyshonin që shërbimi sekret i Serbisë u kishte rënë në gjurmë.

Fatkeqësisht, dita e nesërme e vërtetoi këtë.

“Atë ditë të premte, më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte bashkë me Shaip Hazirin në banesën e Zahirit në lagjen ‘Tophane’ të Prishtinës. Nga mesdita deri pasdite, Zahiri bashkë me Shaipin, me Ilir Konushevcin dhe me Hakif Zejnullahun, qëndruan te një pikë e njohur për ta, në një çajtore afër tregut të gjelbër të kryeqytetit. Pasdite vonë, ata u ndanë: Shaipi me Ilirin mbetën në Prishtinë, kurse Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha morën udhë duke u nisur në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Të përcjellë nga shërbimi sekret i Serbisë, ata ishin nxjerrë në pritë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, prej ku nisën të shtënat duke mbetur të tre të vdekur. Rënia e Zahirit ishte aq tronditëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, saqë u deshën gjashtë muaj riorganizime deri të aksionet e para pas rënies së tij”.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

I lindur më 1 nëntor 1962 në fshatin Turiqicë të Llapit, Zahir Pajaziti ishte rritur duke marrë një edukim patriotik në familje. Në vendlindje, ai ishte nxënës i shkëlqyer te mësuesi i tij Musa Sylejmani. Pas dy vitesh të kaluara në Shkollën e Policisë në Vushtrri (1976-’78), ai u përjashtua për arsye politike. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Podujevë dhe pasi e kreu, në vitin 1981 ai i regjistroi studimet për gjuhë angleze në të sapoemëruarin Universiteti i Kosovës në Prishtinë.

Në tetor të vitit 1991, ai ishte një nga 54 vullnetarët e grupit të parë të atyre që u stërvitën ushtarakisht nga oficerë në Shqipëri. Politikisht, ai ishte i formuar nga veprat dhe bisedat me Adem Demaçin si dhe literatura e ndaluar e marrë nga Shqipëria. Idealisht, ai ishte i vendosur në rrugën e rezistencës së armatosur dhe luftës deri në çlirimin e Kosovës, duke e kthyer jetën e tij në një shembull të angazhimit dhe sakrificës më totale për atdheun.

“Për gjithë këto, Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar dhe do të studiohet nga historia moderne e tij! Lavdi u qoftë për veprën dhe gjithë jetën e tyre Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe dëshmorëve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës”.

Rruga Press

YouTube player