Lajme

Kurti dhe Vuçiqi të enjten në Bruksel. Në takim do të jenë edhe Scholzi, Macroni e Meloni

Sy e veshë do të jenë të enjten në Bruksel, ku do të qëndrojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për herë të parë pas 42 ditësh, ata do të jenë sërish në kryeqendrën evropiane me ftesë të Bashkimit Evropian.

Dy udhëheqësit pritet të takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Takimet do të zhvillohen në margjinat e një samiti të BE-së dhe kureshtjen për to e shton një njoftim i bllokut të martën.

Kemi bërë një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Lexo më shumë  Sveçla: Sulmet ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi

Deklarata e tij pasoi vizitën e pesë të të dërguarve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd, më 21 tetor, por nuk ofroi detaje se çfarë përmban propozimi.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.

Zotimi për themelimin e Asociacionit është përtërirë sërish këtë vit në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që Kosova dhe Serbia e kanë arritur në Bruksel dhe e kanë konfirmuar në Ohër.

Lexo më shumë  Rama nuk di ku të çojë paratë/ Sufiçiti i buxhetit arrin në mbi 720 milionë euro

Stano paralajmëroi se të ftuarit në Bruksel të enjten, do të diskutojnë rreth një “propozimi modern evropian” për Asociacionin dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Hamendjet për statutin e Asociacionit

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të sigurojë përmbajtjen e propozimit për të cilin foli Stano.

Në të kaluarën janë përmendur ose nxjerrë disa drafte për statutin e Asociacionit, por BE-ja ka thënë se diskutimet për to duhet të bëhen vetëm në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, të cilat i ndërmjetëson vetë.

Një draft i hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë një deputete të Kuvendit të Serbisë, është paraqitur në Bruksel më 2 maj.

Rruga Press

YouTube player