Kurti: Bursat për studentë u rritën edhe në numër edhe në vlerë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e vlerësoi si shumë të madhe mbështetjen që qeveria e drejtuar nga ai e ka dhënë për rininë kosovare.
Komentet ai I bëri në aktivitetin “Zëri yt, e ardhmja jonë” që u mbajt në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Aty Kurti u ndal më së shumti te mbështetja që, sipas tij, është ofruar për të rinjtë me arsim falas dhe me bursa.
“Për të vazhduar pastaj me arsimin e lartë falas, nga i cili kanë përfituar dhjetëra mijëra studentë, shto këtu mbështetjen me më shumë se 18 mijë bursa në vlerë nga 1,000 deri në 10,000 euro, nga viti 2021 deri sivjet në vitin 2026. Për të mos harruar edhe rritjen e vlerës së bursës nga 700 euro sa ka qenë, në 1,000 euro sa është tani Në këtë mbështetje përfshihen rreth 7,300 bursa në fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) dhe afër 9,700 bursa elitare për studentët me notë mesatare më të lartë se 9. Por, edhe afër 250 bursa në vlerë 7,500 deri në 8,500 euro për studentët e doktoratës në top 500 universitetet në botë. Gjithashtu janë financuar afër 700 studentë tanë të nivelit baçellor dhe master që kanë studiuar ose po studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Japoni, Hungari e në vende të tjera”, tha Kurti.
Ndërsa Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se institucionet duhet t’i dëgjojnë më shumë të rinjtë dhe të krijojnë mundësi që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe zhvillimit të vendit
“Dhe pikërisht këtu e shohim përgjegjësinë tonë si institucione: jo vetëm t’u themi të rinjve ‘bëhuni pjesë’, por të krijojmë hapësirën dhe mundësitë që realisht ata të bëhen pjesë. Në këtë periudhë si Ministri e Sportit dhe Rinisë, kemi punuar në këtë drejtim. Kemi avancuar iniciativat që lidhen me mobilitetin e të rinjve, sepse besoj se një i ri duhet të ketë mundësinë të shkojë përtej kufijve, të mësojë nga përvojat e të tjerëve, të krijojë kontakte dhe rrjete të reja dhe më pas t’i sjellë ato përvoja përsëri në vendin tonë”, ka thënë Gashani.
Sipas tij, edhe të rinjtë kanë histori, krahas ëndërrave dhe sfidave.
“Është një i ri që ka një ide të mirë, por nuk e di ende se si ta realizojë. Është një i ri që ka talent, ambicie dhe vullnet, por përballet me pengesa që nuk varen vetëm nga puna e tij. Është një i ri që dëshiron të udhëtojë, të mësojë, të fitojë përvojë, të jetë vullnetar, të merret me sport apo të ndërtojë një biznes, por ndoshta nuk e di ende se ku ta gjejë mundësinë e duhur”, ka thënë Gashani.
Aktiviteti u organizuar nga Ministria e Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Kartën Rinore Evropiane në Kosovë.
Rruga Press

