KryesoreLajme

Kurti bisedon me shefin e industrisë turke të Mbrojtjes për mundësinë e “prodhimit të municionit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi të martën në Prishtinë me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për prodhimin e municionit, tha zyra e kryeministrit Kurti.

Kurti gjithashtu tha se Kosova do të vazhdojë të blejë pajisje ushtarake nga Turqia, “e cila mbetet një prej partnerëve kryesorë të Kosovës”.

“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Të rinjtë të gatshëm të kryejnë shërbimin ushtarak, nëse ai bëhet obligativ

Kurti e priti në takim Gorunin, i cili u shoqërua nga ambasadori turk në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, disa orë pasi autoritetet turke e arrestuan një kosovar, të cilin e akuzojnë se ka transferuar para tek operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi.

Zyra e kryeministrit nuk tregoi nëse arrestimi i Liridon Rexhepit ishte çështje diskutimi.

Ndërkohë, takimi i Kurtit me Gorgun vjen disa muaj pasi ai e vizitoi Turqinë, ku u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe mori pjesë në forumin e parë ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, të cilin e cilësoi asokohe si mundësi për thellimin e marrëdhënieve dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.

Lexo më shumë  Torres i reagon Vuçiqit: Historia është në anën e pavarësisë së Kosovës

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

Se sa dronë u blenë, nuk u bë e qartë atë kohë.

Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.

YouTube player