Opinion/Aktualitet

Kur udbashët dhe spiunët bëhen “zë” i opinionit publik

Nga Gëzim Mekuli

Prokuroria Speciale e Kosovës paska ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për “spiunazh” dhe “shantazh”, duke pretenduar se ai ishte rekrutuar nga BIA serbe dhe se kishte mbledhur e përcjellë informacione për zhvillimet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës.

Por pyetja ime më e madhe nuk është vetëm çfarë ka bërë një njeri. Pyetja është: si u bë ky njeri për kaq gjatë një “ekspert”, një “analist” dhe një zë që ftohej me salltanete në studio televizive e portale?

Fjala e tij prezantohej si argument; Mendimi i tij shitej si analizë; Deklaratat e tij citoheshin dhe hynin drejtpërdrejt në formësimin e opinionit publik… pra, Serbia në formësimin dhe ndikimin e mendimit tonë kolektiv.

Lexo më shumë  Zuzarët - Biznesi shqiptar sot nuk po përballet vetëm me një barrë të re financiare, por me një pabesi të pastër institucionale

Asgjë e re, të dashur lexues; Këtë problem e kam ngritur që në vitin 2001 përmes trajtesave, kritikave dhe librave shkencorë: “Mediat dhe Politika” 2003 dhe “ Fjalimet që përgjakën Ballkanin” 2021; libra të censuruara nga mafia mediatike, universitare dhe politike e Kosovës.

Të dashur lexues,

Nëse pretendimet e Prokurorisë provohen në gjykatë, atëherë kemi përballë një fakt tronditës: një person që dyshohet se punonte për Serbinë, mund të ketë pasur qasje të privilegjuar në hapësirën mediatike shqiptare dhe ndikim në mënyrën se si publiku e perceptonte Kosovën, politikën dhe shqiptarët brenda Kosovës…

Kjo nuk është vetëm çështje e një njeriu. Është edhe çështje e mediave që i dhanë mikrofon, autoritet dhe legjitimitet.

Lexo më shumë  Zuzarët - Biznesi shqiptar sot nuk po përballet vetëm me një barrë të re financiare, por me një pabesi të pastër institucionale

Sepse propaganda nuk ka nevojë gjithmonë të shkruhet nga propaganda. Mjafton që dikush ta përsërisë atë në një studio televizive dhe media t’ia japë statusin e “analistit”.

Dhe pyetja që duhet t’u bëhet sot mediave shqipe është e thjeshtë: kujt dreqi i kanë shërbyer mikrofonat tuaj; publikut shqiptar apo interesave të Serbisë së moçme?

Shënim: Sheholli gëzon pafajësinë derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Rruga Press

YouTube player