Editorial

Kur mungon kauza e mirëfilltë politike


“Ju mund të mashtroni disa nga njerëzit gjatë gjithë kohës dhe të gjithë njerëzit disa herë. Por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës.” (Abraham Lincoln, Presidenti i 16-të i SHBA)


Nga Dr Sadri RAMABAJA

Nëse shikojmë disa nga temat më të përfolura në mediat tona nga 14 shkurti 2021 e tutje, që unë e cilësoj si revolucion demokratik në heshtje, filluar me zgjedhjet e përgjithshme, krijimi i Qeverisë Kurti 2 dhe madje edhe debati mbi kontrollin e koronavirusit – por mbi të gjitha mbi raportet SHBA-Kosovë, ka një element konstant që të gjitha kanë të përbashkët: praninë e propagandës politike.

Ky tip i propagandës së përqëndruar e ngritur në nivel të luftës speciale ka qenë e mundur të ushtrohet falë peizazhit mediatik dhe rritjes së mediave sociale, por mbi të gjitha falë zhvillimeve të reja mediale televizive në vend, e që ndërlidhen me hapjen dhe posedimin e TV-ve nga ana e oligarkëve që ishin e mbesin ende të lidhur me ish pushtetin, repsektivisht opozitën aktuale. Për rrjedhojë kauza politike mbi gjoja “prishjen e raporteve me aleatin tonë kryesor – SHBA-të” degjenerojë në propagandë politike të llojit të vetë absurd dhe mbijetoj deri dje në një shkallë të paprecedentë. Kjo është e dëmshme për demokracinë, sepse propaganda politike është më shumë se një retorikë nxitëse e krijuar për të dobësuar kundërshtarin politik. Por, në realitet, fuqia e propagandës që i është nënshtruar qytetari kosovar për muaj të tërë, shkon shumë përtej kësaj, sepse spindoktërët e saj synojnë të përhapin frikë dhe terror, të ndajnë shoqërinë dhe t’i pozicionojnë njerëzit kundër njëri-tjetrit.

Çfarë është propaganda politike?

Me propagandë politike nënkuptojmë informacion të rremë të përhapur për të shkaktuar dëm dhe për të çuar përpara një axhendë politike. Nëse keni jetuar këta muaj të nxehtë të kësaj propagande në Kosovë ose keni qenë të angazhuar të përcillni jetën politike në Republikën tonë për një motiv a tjetër, atëherë do ta keni më të qartë se çfarë në fakt është dezinformimi, ky produkt i propagandës.

Jo vetëm lajmet e publikuara çdo minut e orë, por edhe debatet e organizuara e të sinkronizuara mirë, sikur të ishte një qendër që i komandon, tok kanë shpërndarë informacion të rremë ose mashtrues i shpërndarë qëllimisht me qëllim që të shtrembërojë realitetin që kishte ndodhur dhe zhvillimet e pritshme pas revolucionit të heshtur demokratik të 14 shkurtit 2021. I gjithë ky përqëndrim ishte për synim të bëjë pothujase të pamundur qeverisjen e vendit, të krijojë situata pritjeje, duke gjykuar se Qeveria pritet të bie herë në mars e herë në nëntor, prandaj nuk ia vlenë të investohet asgjë në këtë vend! Madje as në rrafshin emocional.

Kjo lloj propagande e kamufluar herë-herë si keqinformim, respektivisht si informacion i rremë bëhej publik nga redaktorë e kryeredaktorë televizionesh e portalesh, duke u fshehur prapa lirisë së fjalës, që shfrytëzohej e po shfryëtzohet ende si gjethe fiku për të mbuluar mungesën e turpit dhe moralit shoqëror, publik!

Kjo gardë propagandistësh nuk është se nuk e dinë se dezinformimi, jo rrallë, sidomos në Kosovën që i nënshtrohet luftës speciale edhe nga ana e Serbisë, mund të ketë efekte serioze negative në proceset tona për funksionalizimin e Republikës dhe selitjen e demokracisë dhe për këtë arsye nuk bie domosdoshmërisht nën mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Propaganda si formë dezinformimi nuk mbrohet përmes dhe në emër të lirisë së fjalës.

Propaganda politike nuk është një fenomen i ri. Që nga antika, qeveritë kanë përdorur propagandën për të çuar përpara një kauzë politike. Para më shumë se 2000 vjetëve, Oktaviani zhvilloi një fushatë agresive propagandistike për të shkatërruar rivalin e tij Mark Antony dhe për t’u bërë Perandor i Romës.

Ndryshimi më i madh me propagandën e sotme politike po vije falë mundësive të reja që ofron teknologjia informative, duke mos lënë anash edhe TV-në. Prandaj sot propaganda politike mund të arrijë më shumë njerëz, më shpejt dhe më lehtë se kurrë më parë.

Por propaganda politike, siç u dëshmua jo vetëm në Kosovë, nuk është vetëm një mjet për të mashtruar njerëzit. Në epiqendër të saj është mëtimi për të mbjellur mosbesim ndaj qeverisë, pushtetit, kundërshtarit politik… duke krijuar predispozita për mosbesim edhe të vet lajmit real, e në fund edhe politikës si aktivitet qytetar.

Jo rrallë në mediat tona dominon keqinformimi, që është informacion mashtrues, i pasaktë ose plotësisht i rremë që shpërndahet pa qëllimin e shprehur të mashtrimit. Megjithatë, ai, gjykojnë spindoktërët, duhet të perceptohet nga marrësit si informacion serioz dhe faktik. Jo rrallë ne mediat tona, jo vetëm në portale, edhe nëse keqinformimi nuk është i plasuar qëllimisht për ta mashtruar lexuesin, respektivisht shikuesin, mashtruese, fakti është se ai shpesh nuk kontrollohet qëllimisht për saktësi, respektivisht pasaktësinë e mundshme

Teoria e tokës së sheshtë është një nga shembujt më të zakonshëm dhe më të njohur të keqinformimit. Ne e dimë se është e gabuar, sepse ne e dimë se toka është një sferë. Në fakt, ne kemi përparuar deri në pikën ku mund të kemi një pamje nga syri i tokës, kështu që pothuajse të gjithë mund ta shohin se sa e rrumbullakët është ajo. Pavarësisht kësaj, ka shumë njerëz që besojnë vërtet se toka është e sheshtë.  [https://www.liberties.eu/de/stories/fehlinformation-vs-desinformation-definition-und-beispiele/43752]

Spindoktorët e propagandës nuk çajnë kokën pse me kalimin e kohës, kjo luftë speciale që pavetëdijshëm ka marrë shumë nga lufta hibride ruse që po ushtrohet në Europën Juglindore, bën që shumë qytetarë të largohen nga jeta aktive politike, duke ia lënë fatin në dorë një shtrese të deleguarish të oligokratëve! Kjo ndodhë meqë qytetari gjithnjë e më shumë do ta ketë më të vështirë  të bëjë diferencimin mes dezinformatës dhe lajmit real, meqë ai tashmë e ka shumë të vështirë ta kuptojë se çfarë informacioni duhet besuar dhe kujt t’i besohet.

Propaganda e zhvilluar nga opozita jonë, në parim ka ndjekur shkollën e simotrave të saj: kuazikauzën qendrore mbi gjoja “ftohjen e marrëdhënieve me SHBA” e ka ngritur mbi frikën, duke mbjellë kështu edhe pasiguri tek qytetarët. Natyrisht kjo nuk ka qenë e rastësishme, meqë opozita kishte në konsideratë se, fati i Republikës, vetë egzistenca jonë, është e ndërvarur shumë nga këto raporte. 
Opozita me këtë rast përdori propagandën politike për të ndërtuar një narrativë të veçantë mbi gjoja ndarjen e Qeverisë Kurti 2 nga miqtë tanë strategjik, duke e bërë rikthimin e saj si domosdoshmëri jetike.

Një tjetër element kyç i propagandës, mjaft i lidhur me objektivin për të përhapur pasiguri, është sensacionalizmi i saj. Le të kujtojmë me këtë rast të ashtuquajturin paralajmërim për gjoja largimin e forcave amerikane nga Bonstilli.  […]

Si duhet t’i kundërvihemi propagandës politike?

Që nga Epoka e Iluminizmit, 250 vjet më parë, qeniet njerëzore janë konsideruar si qenie racionale – të afta për të çliruar veten nga papjekuria e vetëshkaktuar. Në një shoqëri të ndritur, faktet, jo ndjenjat, kanë rëndësi. [https://www.zukunftsinstitut.de/artikel/die-neue-aera-der-propaganda]

Lajmi i keq, kur ballafaqohemi me tema të kësaj natyre është se, ne duhet të pajtohemi dhe t’i  themi lamtumirë utopisë së një demokracie të përkryer dhe me këtë gjakimit për ndërtimin e një shoqërie iluzore. Lajmi i mirë është se ne nuk duhet të kapitullojmë para distopisë së populizmit tekniko-teknologjik, fuqisë së oligarkëve dhe propagandës politike.

Një pjesë e dezinformatave që qarkulloi në mediat tona dhe studiot tona televizive kohë m parë – me pretendimin për ta shndërruaj në linçim atipik – ishte pretendimi se ambasadori Dr Martin Berishaj na qenkërka implikuar në një aferë korruptive. Ai, sipas portaleve dhe TV-ve të oligarkëve tanë, “dyshohej se kishte marrë 600 mijë euro nga dega e GEN-it në Beograd dhe se të njëjtat kishin përfunduar në “cash” tek politikani  slloven, Robert Golob, një mik i njohur i sundimtarit autoritar të Hungarisë sot – Viktor Orbán.

Historia rezultoi tërësisht e stisur, por gazetat që e qarkulluan mund të jenë mashtruar për të besuar vërtetësinë e saj dhe e kanë shpërndarë atë, duke përfshirë citate nga TV-ja sllovene në zotërim të manjatit Golob, që dukej se e konfirmonin atë.

Arsimi, arsimi kritik dhe ai medial, formimi politik e qytetar është çelësi i fitores mbi propagandën politike. Vetëm me një arsim të mirëfilltë mediatik e formim politik progresiv, qytetarët mund të vetëdijësohen mbi rrugët e krijimit të lajmit që mund ta konsumojmë, natrisht pasi të kemë në konsideratë edhe burimet e tij. E njëjta gjë vlen edhe për kontrollin e fakteve dhe raportimin e artikujve ose postimeve në mediat sociale që mund të mos jenë të besueshme.

Nocioni i besueshmërisë po zë vend në jetën tonë reale gjithnjë e më shumë edhe falë zhvillimit të hovshëm të inteligjencës artificiale. Përdorimi i algoritmeve për të identifikuar dhe etiketuar propagandën politike do të ishte një hap i mirë në luftën moderne për kundërvënie propagandës politike. Bëhet fjalë për lidhjen e domosdoshmërisë morale të fakteve me vlerat reale në njërën anë dhe botëkuptimin dhe gjakimin për ta bërë propagandën politike të kuptueshme.

Leksioni nga Amerika

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur Kosovën partnere të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në hyrje të takimit me krerët e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Konkluzioni është i qartë: partneriteti SHBA-Kosovë mbetet tutje interes strategjik reciprok, për Kosovën madje interes jetik.

Ky fakt, që u vu në pah kësaj radhe gjatë takimit të dy krerëve të Republikës me Sekretarin amerikan të Shtetit, e përmbysë tërësisht interpretimin e ngritur në një kuazikauzë të opozitës mbi gjoja “ftohejen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona”.

Ky interpretim i opozitës dhe mediave që ka në zotërim ajo ose që janë vënë në shërbim të kësaj kuazikauze, pati jetë të burbujshme sidomos gjatë kësaj periudhe sa po qeverisë Qeveria Kurti 2, por në fakt, rrënjët i ka tek lufta speciale, që është bërë kundër VV-së, që prej daljes së saj në skenën politike kosovare, respektivisht angazhimit të saj në institucionet e Repubikës.

***

Opozita në demokracitë liberale dëshmohet e aftë për t’u rikthyer në pushtet vetëm atëherë kur ndërton kauza politike reale. Kauzat e stisura kanë jetëgjatësi të kufizuar, nuk arrijnë dot të qëndërojnë as deri në përballjen e radhës me elektoratin. Perceptimi dhe realiteti ndryshojnë gjithnjë e më shumë. “Post e vërteta” bëhet kundër-modeli i komunikimit të bazuar në prova.
Le të shërrbejë ky fakt si leksion i mirë për opozitën, por edhe për altoparlantët e saj medial.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *