Opinion/Aktualitet

Kur demokracia humbet kuptimin

Pse partive tona tradicionale u mungon përgjigjia konstruktive për të ardhmen?

Nga Sadri Ramabaja

Demokracia nuk toleron askënd të tregojë me gisht, kur gjërat shkojnë në drejtim të gabuar, në rast se paraprakisht ke larë duart si Pilafi. Lëngata në të cilën e kanë sjellë sistemin tonë politik partitë tradicionale, i ngjet krimit politik të gërshetuar me atë ordiner, që ndërkohë është ndëshkuar nga elektorati, por jo edhe nga sistemi i drejtësisë.

Demokracia jonë e brishtë [në Kosovë] për vite të tëra pas çlirimit, nuk kishte si të merrte jetë e të ecte në rrugën e duhur të prosperimit. Partitë tona politike dhe sistemi politik që ato kishin ndërtuar, ishte në themel i kalbur, prandaj me ta marrë timonin PDK-ja, sistemi po rrëshqiste në terrenin e autoritarizmit. Nuk ishte krejt e rastësishme miqësia e ish kryeministrit tonë me sivëllain e tij turk T. Erdogan dhe me neofashistin hungarez V. Orban.

Pasojat e atij sistemi të prishur sot i ndjejmë gjithandej, në të gjitha poret e jetës: në sistemin shëndetësor, në atë të arsimit, në ekonomi, e mbi të gjitha në drejtësi.
Prandaj nuk ishte as e rastësishme dhe e paparitur edhe ndarja e shoqërisë në dy pjesë rixhide njëra kundër tjetrës, ku dy kampe të ngurtësuara po luftonin dhe vazhdojnë ta luftojnë ashpër njëri-tjetrin. Revolucioni demokratik i heshtur i 14 shkurtit 2021 e bëri kthesën e duhur në rrafshin politik e emocional, por frutet e tij qytetarët ende nuk po i shijojnë sa e si duhet në asnjërin nga segmentet e shoqërisë sonë. Eshaloni i barikaduar i kapsve të shtetit është pozicionuar fort dhe po reziston ende, sidomos në segmentet e drejtësisë dhe në ndërmarrjet publike.

Këto pasoja të këtij sistemi të prishur partiak, sot, fatkeqësisht, i vëmë re edhe në rrafshin europian e botëror, madje edhe në hemisferën perendimore, ku demokracia ishte e etabluar kaherë.

Lexo më shumë  Komandanti i Aleatëve të NATO në Evropë: Do të dërgojmë pajisje më të rënda dhe më shumë trupa në Kosovë

Kushdo që dëshiron të dijë se çfarë mund të jenë pasojat e një sistemi të prishur partiak, mund të shikojë në Francë, ku po zhvillohen beteja në rrugë nëpër qytete, ose në SHBA, ku dy kampe të ngurtësuara po luftojnë ashpër njëri-tjetrin, shkruna e përditshmja vjeneze në editorialin e sotëm – Wiener Zeitung, që pas 320 vite jetë, po shkon drejt mbylljes.

Kosova dhe Shqipëria politike, dy republikat tona, prandaj kanë vështërsitë e veta specifike dhe i ashtuquajturi proces i tranzicionit politik nuk po merr dot fund ende, as pas dy a katër dekadave të mbushra me histori zhgënjimi të dy brezave.

Prandaj pakënaqësia, zhgënjimi dhe zemërimi po rriten gjithashtu nga Konispoli në Vermosh. Ndërkaq në Republikën e Kosovës, pavaërsisht ndryshimit pozitiv të dy viteve të fundit, rezistenca e opozitës gjithandej, e përqëndruar në sistemin e drejtësisë së fundmi, merrë përmasat tragjiko-komike dhe bëhet objekt debati në Kuvend e studio televizive, duke shpërfaqur mjerimin tonë politik të përmasave groteske.

Ky realitet i ri kërkon përgjigje konstruktive e të shpejtë.

Pjesëmarrësit në sistemin tonë politik, duhet t’i përmbushin në radhë të parë kriteret elementare njerëzore e morale, pastaj të jenë pjesë e debatit publik.
Palët duhet të përmbajnë forma të reja, qofshin edhe eksperimentale të pjesëmarrjes në jetën aktive publike e politike. Vetëm partitë me demorkraci të brendshme funksionale, vetëm partitë që janë të afta të përthithin mendimin e ri dhe të ripërtrihen me koncepte moderne politike, natyrisht duke thelluar profilizimin e tyre, mund të formësojnë të ardhmen e shoqërive tona dhe t’i garantojnë demokracisë të ardhme funksionale.

Dy shoqëritë tona aktualisht përballen me hemorragjinë që po shkakton plaga e mërgimit të të rinjëve, sidomos ajo e profesionistëve të fushës së mjekësisë dhe inxhinjerisë e teknologjisë informative. Kombi ka rrezik që dhjetëvjetshin që po kalojmë, ta përmbyllë me rrudhje tragjike të harëts sonë demografike dhe ikje të trurit!

Lexo më shumë  Deputetja spanjolle mbështet anëtarësimin e Kosovës në KiE, Ahedo: Anëtarësimi do të forconte të drejtat e njeriut

Ekspertët gjithandej në demokracitë liberale të etabluara, vërejnë se, përveç çështjeve programore, mënyra e dukshme për të dalë nga kriza është ndalimi i ngritjes së njerëzve të papërshtatshëm në poste të larta. Kjo tingëllon e thjeshtë, por duket mjaft e vështirë, nëse shikoni vendimet e personelit të marra nga PS, PD, PL, LDK, PDK, AAK-ja…

Fakti që PS apo VV bëjnë gabime herë-herë spektakolare kur qeverisin, nuk mund të jetë ngushëllim për të tjerët, për opozitën, sepse baza e kundërveprimit të saj, sidomos në Kosovë, mbetet sabotazhi në sistem dhe protesta me përmbajtje e ngjyresa banale.

Është dëm i madh për demokracinë, nëse palët vazhdojnë të mos investojnë më shumë energji në personelin menaxhues, që është evidente se ju mungon. Mjafton t’i përcjellim një muaj punimet e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe të konstatojmë mjerimin politik të diskursit të kësaj legjislature.

Përndryshe dështimi i forcave politike thënë kushtimisht të vjetra (PS, PD, PDK, LDK…) është i programuar, në rast se ato vazhdojnë të udhëhiqen me personel aspak autentik dhe tejet konservator.

Në shoqëritë tona me demokraci ende të brishtë, mbesin kokat drejtuese, liderët, ata që luajnë rol në drejtimin tonë politik dhe kultivimin e demokracisë. U takon atyre të mishërojnë dhe formësojnë përmbajtjen e një lëvizjeje të re politike. Në Shqipërinë politike, duket se lideri i Lëvizjes BASHKË është një ogur i mirë për shëndetin politik dhe demokracinë dhe të ardhmen e saj. Kjo forcë politike në ardhje, jep shpresë se mund të bëjë në një të ardhme jo të largët, atë që para dy viteve bëri Lëvizja Vetëvendosje në Republikën e Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *