Gjeopolitikë

Kumbari i Putinit themelon lëvizjen ukrainase proruse në Serbi

E përditshmja e pavarur serbe, “Danas“, ka shkruar se lëvizja “Ukraina e Dytë“ e oligarkut ukrainas dhe politikan prorus, Viktor Medvedçuk, që njihet edhe si kumbar i Vladimir Putinit, para dy muajsh, ka regjistruar përfaqësinë e vet edhe në Serbi. Këtë e ka konfirmuar edhe Dejan Stanojeviq, një biznesmen serb që është përfaqësues i shoqatës në Serbi.

“Danas” shkruan se “Ukraina e Dytë“ është regjistruar edhe në agjencinë e regjistrave ekonomikë në Beograd, ndërsa Stanojeviq ka shpjeguar se në postin e përfaqësuesit të saj ka ardhur në saje të lidhjeve të vendosura gjatë qëndrimit në Ukrainë.

“E njoh sistemin politik të Ukrainës. Formalisht dhe ligjërisht, unë jam përfaqësuesi, por e gjithë organizata u takon atyre”, ka thënë Stanojeviq, duke iu referuar Medvedçukut dhe 15-20 gazetarëve, politologëve dhe aktivistëve nga Ukraina që qëndrojnë pas kësaj shoqërie

Qëllimi i kësaj shoqërie, thotë ai, është integrimi i ukrainasve që “kanë një mendim ndryshe nga ai zyrtar”.

Duke marrë parasysh se prapa gjithë kësaj qëndron pikërisht kumbari i Putinit dhe çfarë besimi ngjall ky fakt te njerëzit që eventualisht do të paraqiteshin në këtë organizatë, Stanojeviq shprehet se nuk ka asgjë të keqe dhe se, po sipas tij, “edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është kumbari i dikujt”.

“Edhe (deputeti nga Ukraina, Petro) Poroshenko ishte partner me kumbarin e Putinit, dhe kjo nuk i pengonte askujt. Putini ka thënë disa herë për Medvedçukun se ai është një nacionalist ukrainas”, arsyetohet Stanojeviq.

“Danas”, duke iu referuar shkrimeve të “Oktagonit” rus, thotë se fjala është për një lëvizje publike ndërkombëtare “për zhvillimin e shoqërisë civile” që me emrin “Ukraina e Dytë” është regjistruar edhe në Moskë.

Po kush është themeluesi i saj, Viktor Medvedçuk?

Është një politikan 69-vjeçar opozitar ukrainas të cilin Kievi ia ekstradoi Moskës në shtator të vitit të kaluar në këmbim të luftëtarëve të kapur të Batalionit Azov.

Nga viti 2002 deri më 2005, Medvedçuk ishte shef i shtabit të presidentit ukrainas Leonid Kuçma.

Viktor Medvedçuk është një nga njerëzit më të pasur në Ukrainë, kurse Forbes e vlerëson pasurinë e tij në 620 milionë dollarë.

Oligarku ukrainas ka lidhje kumbarie me presidentin rus Putin i cili më 2004 u bë nun i vajzës së Medvedçukut, Darja.

Medvedçuk është nën sanksionet amerikane që nga pushtimi rus i Krimesë në vitin 2014, kurse majin e kaluar Ukraina e arrestoi atë për shkak të tradhtisë dhe grabitjes së burimeve shtetërore në Krime. /KDP/

YouTube player