Kuleba: Armë dhe sanksione për ta ulur Putinin në tryezë, samitet nuk kanë shërbyer
Dmytro Kuleba, diplomat me përvojë të gjatë dhe ish-ministër i Jashtëm i Volodymyr Zelensky-t, i shpjegoi gazetës italiane Repubblica në ç’pikë janë negociatat, cilat janë kushtet e papranueshme për Ukrainën dhe çfarë duhet për ta detyruar Putinin të ulet në tryezë.
Donald Trump e ka fyer sërish Zelenskyn, e ka quajtur “shitës”, dhe duket sikur humori është sërish i pafavorshëm ndaj jush. Si po ecin bisedimet?
“Jemi në të njëjtën pikë ku ishim para samiteve në Alaskë dhe në Uashington. Trump dëshiron t’i japë fund luftës sepse i pëlqen t’i japë fund luftërave. Por ai është i paparashikueshëm: sot është miqësor, nesër armiqësor. Kur mendon se ti je pengesë për suksesin e tij, kthehet në armikun tënd”.
Trump pranoi për herë të parë se Ukraina, që mendonte se do ta zgjidhte për 24 orë, është një nga krizat më të vështira për t’u zgjidhur. Do të ngulë këmbë apo do të dorëzohet?
“Nuk duhet të kemi frikë se presidenti Trump do të dorëzohet, sepse nuk mund ta lejojë vetes. Do të konsiderohej një dështim i tij. Nuk jam i shqetësuar për këtë”.
Putin u ngut të shkonte në Alaskë vetëm kur SHBA-të po përgatiteshin të vendosnin sanksione dytësore ndaj Indisë, që do të dëmtonin Rusinë.
“Po. Presidenti Putin pranoi të mbante samitin në Alaskë vetëm sepse duhej ta qetësonte Trumpin. Duhej ta pengonte të bëhej armiqësor dhe donte të përpiqej ta vinte kundër Europës”.
A ia doli?
“Jo. Dështoi. Por administrata Trump e kuptoi se ishte në kurth. Dhe bëri një lëvizje shumë inteligjente: Ndau çështjen e territorit nga pjesa tjetër. Trump nuk i ngriti çështjet territoriale me Zelensky-n dhe europianët në samitin pasues në Uashington. Tha se e kishte zgjidhur çështjen me Putinin dhe shtoi: Të flasim për garancitë e sigurisë. Kështu të gjithë u larguan nga Uashingtoni të kënaqur. Por çështja nuk u zgjidh, thjesht u shty. Dhe kjo do të thotë se përplasja mes Trumpit dhe Europës nuk është shmangur përgjithmonë”.
Epo, Trump ra edhe në kurthin e Putinit sipas të cilit është e drejtë të kalohet menjëherë në bisedimet e paqes duke anashkaluar armëpushimin.
“Nuk jam dakord: Nuk ishte kurth për një arsye shumë të thjeshtë. Trump gjithmonë dëshiron të arrijë objektivin më ambicioz. Pra, nëse duhet të zgjedhë mes shkaktimit të një lufte dhe mbylljes së saj, natyrisht zgjedh ta mbyllë. Por kurthi që Putini i ngriti Trumpit ishte ideja e një shkëmbimi territoresh. Ishte një katastrofë, për një arsye të thjeshtë: Nuk do të funksionojë. Dhe Amerika do të detyrohet ta braktisë atë. Një shkëmbim territoresh është i papranueshëm për Ukrainën. Sa më shpejt që presidenti Trump dhe zyrtarët e tij ta heqin ‘shkëmbimin e territoreve’ nga fjalori i tyre, aq më efikase do të jetë politika e jashtme amerikane në nyjën e Ukrainës”.
Pra mendoni se Trump do t’ia dalë ndonjëherë t’i bëjë të flasin Putini-n dhe Zelensky-n?
“Asgjë nuk është e pamundur. Është vetëm çështje e ekuilibrit të duhur mes shkopit dhe karotës. Perspektiva e një takimi mes Zelensky-t, Putin-it, Trump-it dhe ndoshta europianëve iu paraqit opinionit publik pas samiteve në Alaskë dhe Uashington si një nga sukseset e tij më të mëdha. Por kaloi më pak se një javë dhe tani askush nuk shpreson më që ai takim të ndodhë. Putin-i nuk ka asnjë motivim për të bërë lëshime apo për t’u takuar me Zelensky-n”.
Çfarë duhet të bëjnë europianët dhe Trump për ta detyruar të ulet në tryezë?
“Trump duhet të shesë armë për Ukrainën dhe europianët dhe të vendosë sanksione dytësore ndaj Rusisë. Europa duhet të investojë shumë shpejt në prodhimin e armëve të veta dhe atyre në Ukrainë. Dhe të avancojë në rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në BE. Putini reagon vetëm kur sheh se kundërshtarët e tij janë seriozë”.
Është e pranueshme, siç sugjeron tani Lavrov, të rihapet formati i Stambollit?
“Jo, është i njëjti truk. Është mënyra e mërzitshme ruse për të thënë se çdo takim duhet përgatitur deri në detaj. Ata e mbytin çdo negociatë në përgatitje. E bëjnë gjithmonë”.
Një nga pikat e propagandës ruse, shumë popullore edhe në Itali, është se Stambolli 2022 dështoi për shkak të ukrainasve.
“Më vjen keq nëse tingëlloj shumë i ashpër. Dashuria ime personale për Italinë më lejon ta marr këtë rrezik, por të besosh propagandën ruse si italian është si të preferosh verën franceze ndaj asaj italiane. Sa kohë do të duhet që këta njerëz të kuptojnë se Rusia nuk është mike, se është mashtruese dhe tradhtare? Për Stambollin: Nuk ka pasur një moment kur ‘Perëndimi i etur për gjak’ i ndaloi ukrainasit të arrinin një marrëveshje me Rusinë. Nuk ka pasur asnjë marrëveshje që do të mund t’i jepte fund luftës, sepse nëse Rusia do të kishte dashur marrëveshje, pyetja është: pse e nisi luftën? Arsyeja pse marrëveshja nuk u arrit është shumë e thjeshtë. Negociatat nisën në ditët e para të luftës, kur askush nuk besonte se Ukraina do të mbijetonte dhe Rusia kishte nevojë për një justifikim për agresionin e saj dhe për të treguar vullnetin për ta ndalur. Negociatat dështuan sepse pas – dhe theksoj pas – Stambollit, të dyja palët, Ukraina dhe Rusia, menduan se mund të arrinin objektivat e tyre në luftë. Ukraina mendoi se mund të mbrohej, ndërsa Rusia besoi se i duhej vetëm më shumë kohë për të mposhtur Ukrainën. Kjo është arsyeja pse negociatat dështuan. Gjithçka tjetër është vetëm propagandë ruse”.
Si do ta përshkruanit rolin e Europës?
“Besoj se në përgjithësi Europa duhet të lavdërohet për atë që ka bërë në tre vitet e fundit. Ka tejkaluar shumë pritshmëri. Por ende ka vështirësi me dy probleme thelbësore. I pari është koha: Europa është shumë e ngadaltë. Problemi i dytë është se Europa është tepër e rregulluar. Dhe kur bëhet fjalë për luftë ose paqe, këto dy elementë bëhen kritikë. Për këtë arsye Ukraina, SHBA dhe madje Rusia duken më efektive në atë që bëjnë: veprojnë më shpejt”.
Çfarë garancish sigurie janë të nevojshme dhe po diskutohen tani?
“Askujt nuk i është e qartë çfarë po diskutohet realisht. Problemi i garancive të sigurisë është se ato funksionojnë vetëm nëse janë pjesë e një pakete. Dhe derisa të kemi një paketë, nuk mund të vlerësojmë as forcën, as efektivitetin e saj. Ajo që e di është se Putin-i do ta ndalë luftën vetëm kur të heqë dorë nga ideja për ta nënshtruar Ukrainën. Prandaj duhet të ketë tre elementë. Së pari: Ushtria ukrainase duhet të jetë e fortë. Së dyti, partnerët tanë duhet të vendosin si t’i ndihmojnë mbrojtësit e ushtrisë ukrainase. Së treti, Ukraina duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”.
Disa pjesë të territorit ukrainas janë tani në duart e Rusisë. Si duhen konsideruar?
“Duhet të mbeten në një zonë gri. Meqë tani nuk mund t’i rimarrim këto territore me forcë ushtarake, as t’ia dorëzojmë ligjërisht fuqisë pushtuese, e vetmja zgjidhje e zbatueshme është t’i lëmë në zonën gri dhe të presim që të krijohet mundësia për t’i rimarrë, ushtarakisht ose diplomatikisht, në të ardhmen”.
Një okupim de facto, jo de jure?
“Saktësisht. Ukraina kurrë nuk do ta njohë ligjërisht këtë situatë ashtu siç është tani”.
Rruga Press

