KryesoreOpinion/Aktualitet

Kudo që dëgjohet dhe nga kushdo që dëgjohet, Albini miratohet me duartrokitje

Shkruan Hysamedin Feraj

Kudo që dëgjohet dhe nga kushdo që dëgjohet, Albini miratohet me duartrokitje.

Do të ishte miratuar e duartrokitur edhe nga sekretari Blinken, kryekomisionerja von der Leyen, kryeministri Sunak, etj.

PO TË DËGJOHEJ!

Por ata dëgjojnë vetëm Vuçiqin përmes Borrellit, Lajçakut, Escobarit dhe Hillit, mbështetësit e njëanshëm e të vendosur të Vuçiqit. Të keqinformuar prej tyre por me besim në informacionin që u jepet prej tyre, administrata e SHBA, EU dhe UK, janë bërë, besoj fort se pa dashje, palë me Serbinë e Vuçiqit përballë miqëve të vërtetë të tyre në rajonin tonë.

Gabimi është i tyre, por kosto është e jona.


Pse Escobari, Hilli, Borrelli e Lajçaku mashtrojnë eprorët e tyre në favor të Serbisë, mund vetëm të hamendësoj mbi hamendësimet e tyre:

1. Ndoshta besojnë se e shkëpusin Serbinë nga Rusia, sidomos lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës. Por ky hamendësim duket pak i besueshëm, sepse qëndrimi i Serbisë nuk është vendimtar për fitoren e Ukrainës dhe mposhtjen e Rusisë;

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

2. Ndoshta i frikësohen Serbisë se mos hap një front të dytë lufte, ose të tretë, në rast konflikti SHBA-Kinë lidhur me Tajvanin, dhe SHBA, NATO, etj., nuk duan dy fronte lufte njëkohësisht. Por, për asnjërin rast ky hamendësim nuk duket fort i besueshëm, sepse sjellja e Serbisë nuk është vendimtare për ndalimin ose shpërthimin e luftës SHBA-Kinë.

3. Ndoshta shpresonin se duke u deklaruar kundër Kosovës e nxisin Vuçiqin për veprime të armatosur kundër nesh, dhe me këtë legjitimohen aleatët tanë për veprim po të atillë kundër tij. Por edhe ky hamendësim duket i pabesueshëm. E para sepse Vuçiqi ka mësuar të mos bie në skenarë të tillë siç ra Millosheviqi mbas deklaratës se UÇK është organizatë terroriste: “Millosheviqi ka pasur qëllime të drejtë, por metoda të gabuara” – pat thënë pak a shumë Vuçiqi. E dyta, këtë skenarë mund ta dekonspirojë ambasadori Hill, simpatizant (gati këshilltar) i hapur i Vuçiqit.

4. Hamendësimi më i besueshëm më mbetet njëanshmëria subjektive e Borrellit, Lajçakut, Eskobarit dhe Hillit krah Vuçiqit. Duke qenë subjektivisht mbështetës të Vuçiqit, subjektivitet motivin e të cilit nuk mund ta di tani, raportet drejtuar eprorëve të tyre shtrembërohen nga ndjenjat e tyre, dhe në vend të përshkrimit real të sjelljes së Serbisë në Rajon transmetojnë njëanshmërinë e vet personale. Sigurisht, është e kuptueshme që eprorët t’u besojnë raportimeve të tyre, sepse janë të dërguarit e tyre.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

5. Mund të bëhen shumë hamendësime lidhur më njëanshmërinë e administratave të SHBA-së, BE-së, MB-së, etj., në krah të Serbisë dhe kundër Kosovës, por mbetet e vështirë të kuptohen pse. Këtë s’po mund të kuptojnë as kryetarët e komiteteve gjegjës për punët e jashtme, qoftë të Senatit amerikan, qoftë të Parlamentit Europian, të Mbretërisë së Bashkuar, apo të parlamenteve nacionale.

Për fund, një gjë dihet: mbështetja e pakusht ndaj Vuçiqit nga Hill, Lajçak, Borrell dhe Escobar, ka shqetësuar gjithë shtetet e Ballkanit, me përjashtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Rruga Press

YouTube player