Opinion/Aktualitet

Ku do ta bëjë tash vendin Ramush Haradinaj, kriminelin Radojçiq e kishte mysafir shtëpie!

Shkruan Idriz Morina

Ende asnjë pëshpërimë nga Ramush Haradinaj për Millan Radojçiqin. Ai dje u mundua disi të fshihej para syve të opinionit, duke e bërë një deklaratë të shkurtër se e mbështeste listën e zezë amerikane.

Menjëherë pas shpalljes së listës së zezë ia kujtuan Ramushit se ai e kishte pasur në zyrën e tij, Milan Radojçiqin, që konsiderohej kumbarë i qeverisë Haradinaj, përkatësisht si njeriu që e futi Listën serbe në qeveri, duke ia siguruar shumicën parlamentare.

Por, sipas burimeve të gazetës Ramush Haradinaj, nuk e ka pasur takimin e vetëm me Radojçiqin në Qeveri. Ramush Haradinaj, Milan Radojçiqin e kishte pasur mysafir edhe në shtëpinë e tij.

Pra, aq shumë kishin raporte të mira e besueshmëri, sa që Ramushi përveç atyre të biznesit i ktheu edhe në raporte miqësie.

Amerikanizëm apo antiamerikanizëm

Ramushi duhet të sqarojë shumë gjëra, pra se si amerikanizmi i tij u kthye në antiamerikanizëm në këtë rast.

Pra, derisa SHBA-ja hulumtonte prova mbështetëse për t’u siguruar se Radojçiq dhe të tjerët ishin një bandë ndërkombëtare kriminale, e cila po e dëmtonte demokracinë e Kosovës para së gjithash, dhe po e kërcënonte me destabilizim shtetin e ri europian, Ramushi, po i krijonte siguri të bërjes së biznesit dhe veprimeve të tjera, të dëmshme për shtetin, vetë kësaj ‘bande të zezë’.

Ramushi nuk ka shumë se çka të sqarojë në fakt, por duhet të tregojë për motivet, a ishte pangopësia për para apo pangopësia për pushtet, të cilin besonte se ia kishte dhuruar Radojçiqi.

Lexo më shumë  Qeveria e re serbe me dy zv.kryeministra rusë

Por, sipas dokumenteve amerikane këta nuk ishin vetëm, mbrapa tyre kishte mbështetje të fuqishme politike, të cilat ata i kanë arritur kryesisht me korrupsion, por në fund u shërbenin qëllimeve politike të Serbisë, dhe jo më vetëm vetvetes së tyre.

Ata në fakt ishin përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të Serbisë, dhe këtë e bënin duke ia pamundësuar edhe serbëve të Kosovës shprehjen e vullnetit të tyre në votime. Lista serbe me këtë mbështetje kriminale të kontrolluar nga Beogradi, i merrte të gjitha votat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky grup po ashtu ishte kryesori në trafikimin e drogës, mallrave të paligjshme, dhe parave (për shpëlarje të parave).

“OCG e Veselinovic është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në dokumentin amerikan.

Ramush Haradinaj si kryeministër nuk mund të mos i dinte këto implikime në krime të ndryshme. Vetëm këto veprime të tyre do të ishin të mjaftueshme që ai të mos krijonte raporte biznesi apo miqësie me Radojçiqin.

Trafikant droge, dhe kontrollonin Listën serbe

Dokumenti i cili e identifikon Zvonko Veselinoviçin (Veselinoviç), udhëheqës të Grupit të Krimit të Organizuar (GKO), e paraqet se është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara në Kosovë.

Lexo më shumë  Bushati: Pranvera e ankthit të Veliajt

“Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të OCG, Milan Rajko Radojcic (Radojcic), Zeljko Bojic (Bojic) dhe Marko Rosic ( Rosic), të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasje, secili duke shërbyer me rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”.

Pra, Radojçiq dhe i gjithë grupi sipas dokumenteve amerikane është i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, të bërë me 16 janar 2018.

Por, Radojçiq në vend se t’i dorëzohej drejtësisë, ai u mor në mbrojtje nga politika.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët.”

Sipas këtyre informacioneve amerikane, rezulton se edhe Qeveria e Kosovës mund të ishte e implikuar në ryshfet dhe korrupsion me Radojçiqin dhe grupin kriminal.

Është pak të thuhet ironik qëndrimi që e shfaqi mbrëmë Ramushi në Fb, me rastin e shpalljes së listës së zezë për bandën kriminale në veri, dhe mikun e tij Radojçiq.

“Vendimi do të ndihmojë misionin tonë të përbashkët (SHBA-Ramush) për të goditur krimin transnacional në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.

A nuk është hipokrizi kjo që thotë ai, dhe zhveshje lakuriq e ‘amerikanizmit’ të Ramush Haradinajt, vendimi i Qeverisë amerikane!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *