Kuriozitete

Kthimi në punë, reshjet e shiut dhe trishtimi… Me ardhjen e vjeshtës janë shtuar dhe njerëzit me “depresion stinor”, si e shpjegojnë psikologët

Kalimi nga vera e mbushur me aktivitete, pushime dhe relaks në vjeshtën e fillimit të shirave dhe kthimit në punë shoqërohet dhe me një ndjesi trishtimi për shumë njerëz ku “faji” në fund për këtë gjendje i mbetet kohës. Por, pak e dinë se kjo gjendje në të vërtetë është “depresion stinor”.

Manjola Çollaku, Psikoterapiste e CBT (Terapia njohëse e sjelljes) dhe psikologe klinike e zhvillimit shpjegon për Gazetasi.al se për herë të parë termi Depresion stinor u përdor nga psikiatri Norman E. Rosenthal, në 1984. Midis simptomave të ndryshme ai vuri re se disa pacientë kishin tendencë të ndryshonin gjendjen shpirtërore sipas stinëve. Konkretisht, ai identifikoi një ‘formë dimri’, në të cilën subjektet vuanin nga depresioni në muajt më të ftohtë dhe më të errët dhe tipikisht mund të shpërthenin në lot papritur dhe pa ndonjë arsye të dukshme; flinin më shumë orë gjumë seç duhet dhe lodheshin më lehtë. Rosenthal gjithashtu diagnostikoi një formë verore depresioni në të gjithë ata pacientë të cilët, përkundrazi, zhvilluan ankth gjatë muajve të ngrohtë, të cilët ishin lehtësisht nervozë, hiperaktivë, hanin më pak, vuanin nga pagjumësia dhe, nganjëherë, përfshiheshin në sjellje agresive.

Kjo ka prekur dhe shqiptarët ku psikologe Almandina Guma thotë për Gazetasi.al se “ka në fakt një rikthim të rregullt të klientëve në terapi dhe këshillim, nevojë për vendime, për të kuptuar”. Ajo tregon se në përgjithësi çështjet dhe reflektimet që klientët në terapi e këshillim kanë bëhen më të forta dhe përjetuese gjatë gushtit dhe veçanërisht gjatë përmbylljes së gushtit.

““Arratisjet pushuese” për kënaqësi dhe largim vëmendje nga problemet shkojnë drejt mbylljes në gusht dhe kemi një rikthim të vetja gjatë Shtatorit”, thotë Guma duke shtuar se duket se gushti dhe hyrja në shtator në përgjithësi janë muaj ngacmues për të bërë një përmbledhje të çfarë është realizuar dhe për të vendosur për çfarë duhet të përkushtohemi , çfarë duhet ose mund të ndryshojmë në jetën tonë që mund të shkaktojë ndjesi mikse, si padurim, ankth por edhe depresion situativ.

“Për më tepër, shtatori si lajmërues i stinës vjen sërish me friken e shtuar te Covid dhe kufizimeve, territor ankthi me te cilin po jetojmë gjatë dhe kthen shumë “pse”, e rrit pasigurinë”.

Guma thotë se sipas saj, kjo periudhë nuk është vetëm një “depresion stinor”, “pasi jemi edhe në kuadër të një traume kolektive lidhur me pasigurinë e Covid që na shoqëron gjatë tashmë”.

Ndryshimi i stinëve po kthen njerëzit te vetja, ngacmon problemet që i kanë pasur ose i nxjerr më në pah ato.

“Ndihen më “blu”, me luhatje humori, nevojë për t’ju përshtat rutinës e nevojë për marrëdhënie të ngrohta, plus rritje të rëndesës psikologjike në raste virozash e Covid”.

Çollaku shpjegon se karakteristika kryesore e Depresionit Stinor është shfaqja e simptomave specifike, tipike depresive në periudha të caktuara të vitit. Quhet gjithashtu “Sindromi Afektiv Stinor” ose thjesht tregohet me akronimin “SAD” nga anglishtja “Seasonal Affective Disorder”. Në përgjithësi, periudhat në të cilat SAD mund të shfaqen më shpesh janë vjeshta ose dimri, por edhe pranvera dhe shpesh simptomat kanë një përmirësim dhe/ose zgjidhje në verë. Pra,simptomat zakonisht shfaqen midis shtatorit dhe prillit dhe kanë kulmet e tyre më patologjike në muajt më të ftohtë si dhjetori, janari dhe shkurti. Një karakteristikë tjetër që e dallon Depresionin Stinor është fakti se ky trend “fillimit-mbarimit” zgjat për të paktën 2 vjet, pa periudhë të simptomave depresive jo-sezonale në mes.

“Që të jetë me të vërtetë Depresion Stinor është e nevojshme që simptomat depresive sezonale të mos lidhen me shkaqe psiko-sociale që gjenerojnë stres, të tilla si papunësia një periudhë të caktuar të vitit ose angazhimet shkollore të tilla si provimet përfundimtare ose seancat universitare tipike prej disa muajsh”, shpjegon Çollaku duke shtuar se depresioni stinor shpesh karakterizohet gjithashtu nga ulja e niveleve të energjisë, lodhja e tepërt, hipersomnia dhe hiperfagia, ose një rritje e dëshirës për gjumë dhe ushqim, të cilat shkaktojnë ulje të aktivitetit dhe shtim në peshë dhe ka më shumë gjasa të prekë njerëzit e prekur nga Çrregullimi Bipolar dhe gratë e reja (ndoshta për shkak të strukturave dhe funksionimit të ndryshëm psiko-biologjik).

Sindroma Afektive Stinor është më e përhapur dhe e mundur në vendet ku sasia vjetore e dritës së diellit është më e ulët dhe ku është më e ftohtë (përshembull Kanadaja, Islanda, Shtetet e Bashkuara të Veriut, vendet skandinave, etj.).

“Gjithashtu ndryshimet në ekspozimin ndaj dritës së diellit ndikojnë në nivelin e Serotoninës të sistemit neuropsikologjik, me pasojë rënien e humorit dhe energjisë, dhe/ose kjo mungesë drite çon në uljen e sasisë së Melatonin, një hormon themelor në bazë të ritmeve jetike psiko-biologjike të individit”, përfundon Çollaku.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *