Art & Kulturë

Kryevepra e Rembrandit vjen në fotografi me rezolucion të lartë

Piktura ikonike e Rembrandt van Rijn, “The Night Watch”, tani është gjithashtu një foto muzeale me kualitet të lartë që u dërgohet direkt në laptop dhe ku mund të kapni detaje të hollësishme e të çmuara. “Rijksmuseum” në Amsterdam vendosi në fillim të javës në portalin e vet digjital atë që e quajti “fotoja më e detajuar e çdo vepre arti” e që është gati për vlerësim nga shkencëtarët dhe artdashësit. Fotografia pritet të tërheqë një interes të gjerë veçanërisht tash pasi muzeu është i mbyllur për shkak të masave kundër pandemisë.

Fotografia 717 gigapiksel i lejon shikuesit të zmadhojnë kapitenin Frans Banninck Cocq dhe të shohë se si mjeshtri i shekullit të 17-të vendosi pikat më të vogla të bardha në sytë e tij për t’i dhënë jetë personazhit kryesor të pikturës. Ajo tregon gjithashtu çarjet e vogla në bebëzat e tij, të shkaktuara me kalimin e kohës.

Vepra origjinale ka përmasa 379,5 me 453,5 centimetra dhe çdo piksel përfaqëson 5 mikrometra. Vepra përveçse tregon detajet verbuese, gjithashtu do t’u ofrojë qasje studiuesve dhe do t’u ndihmojë që ata të vlerësojnë atë dhe të vërejnë procesin e plakjes së saj me kalimin e kohës.

“Night Watch” do të largohet nga korniza prej druri brenda dy javësh dhe do të vendoset në një të re për të hequr valëzimet që u shkaktuan kur piktura e famshme botërore u vendos në një galeri të përkohshme gjersa “Rijksmuseum” ishte duke u rinovuar gjatë periudhës 2003-2013.

Në pikturën vaj në pëlhurë shihet një grup i ushtrisë civile të Amsterdamit dhe aty tregohet përdorimi i famshëm i dritës dhe kompozimi i Rembrandtit për të krijuar një skenë dinamike të mbushur me personazhe.

Piktura ka pësuar shumë restaurime gjatë ekzistencës së saj. Ajo u vendos në kornizën e saj të tanishme prej druri në vitin 1975. Pasi piktura të drejtohet sërish, muzeu do të vendosë nëse nevojiten punë të mëtejshme restauruese.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *