Lajme

Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës i caktohet masa e ndalimit, dyshohet për 2 vepra penale

Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Prishtinës të mërkurën.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, kreu i FFK-së dyshohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorimi i besimit” dhe “shmangie nga tatimi”. Është raportuar se lidhet me institucionin që ai drejton.

Prokuroria tutje ka thënë se është në koordinim me Policinë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje.

Policia të martën i kishte lënë ftesë kreut të FFK-së që sot [e mërkurë] të paraqitej në stacion policor për intervistim. Pas intervistimit, ai është ndaluar për 48 orë.

Dje u intervistua edhe një zyrtar tjetër i FFK-së.

Agim Ademi ditë më parë u lirua nga akuzat për një rast të ndodhur shumë vjet më parë e që nuk ishte i lidhur me futbollin.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Çka thonë nenet 307 dhe 330 në Kodin Penal të Republikës së Kosovës:

Neni 307

Shmangia nga tatimi

1. Kushdo që me qëllim që ai apo personi tjetër të fsheh apo t’i shmanget, pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, apo i shmanget tatimit duke përfituar rimbursimet tatimore apo kreditë tatimore të pajustifikuara, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat apo nuk i përfshin të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, gjendjen ekonomike apo fakte të tjera, ose përndryshe ofron informata false relevante për vlerësimin e detyrimeve të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vjet.

Neni 330

Keqpërdorimi i besimit

1. Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kujdestari, avokati apo ndonjë person tjetër që ka detyrim ligjor ndaj pronarit të pasurisë, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Rruga Press

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *