Kryetari i ri i Nju Jorkut dëshiron të paguhet me bitcoin
Eric Adams, kryetar i zgjedhur i qytetit të Nju Jorkut, tha se dëshiron që tre çeqet e para të pagesës t’i marrë në bitcoin.
Ish-kapiteni i policisë u zgjodh këtë javë dhe do të marrë detyrën në fund të mandatit të kryebashkiakut Bill de Blasio, në muajin janar.
Adams tha në mediat sociale se dëshiron ta bëjë Nju Jorkun “qendër të industrisë së kriptomonedhave”.
“Në Nju Jork, ne gjithmonë bëjmë hapa të mëdhenj, kështu që unë do t’i marr tre çeqet e para të pagës në bitcoin, kur të bëhem kryetar”, shkroi Adams në një postim në Twitter.
“Qyteti i Nju Jorkut do të jetë qendër e industrisë së kriptomonedhave dhe industrive të tjera inovative”, tha ai.
Vlera e bitcoin-it, kriptomonedhës më të madhe në botë, ka qenë shumë e paqëndrueshme prejse është krijuar në vitin 2009.
Adams, demokrat, u zgjodh të martën dhe do të bëhet kryetari i dytë me ngjyrë i qytetit.
Rruga Press